Presidenti Meta u paraqit për herë të parë para komisionit hetimor parlamentar që mazhoranca ka ngritur kundër tij, me pretendimin se me anullimin e njëanshëm të zgjedhjeve të 30 qershorit ka shkelur Kushtetutën.
Meta mbrojti të njëjtin qëndrim, duke thënë se e ndërmorri atë hap për t’i mundësuar opozitës pjesëmarrjen në zgjedhje. E për këtë iu referuar Ramiz Alisë në ’91.
“Precedentin e parë e ka bërë më ’91 Ramiz Alia që ka shtyrë zgjedhjet me 2 muaj për t’i dhënë kohë opozitës së sapokrijuar të merrte pjesë në zgjedhje dhe të kishte kohë për tu parapërgatirur. Këtu është një foto historike ku fati e solli të isha edhe unë në emër të lëvizjes studentore ku i kërkuam Ramiz Alisë në atë kohë pluralizëm politike, ai e pranoi dhe me dekretin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve tregoi që të gjithë duhet të viheshin në shërbim të pluralizimit politik një herë e përgjithmonë. Është e tepërt t’i kërkosh një studenti të dhjetorit në detyrën e presidentit të heshtë pas 30 vjetësh tek kthimi i një precedenti tjetër të zhvillimit të zgjedhjeve me një kandidat si një herë e një kohë”, tha Meta.
Por kur ju kërkua neni përkatës i Kushtetutës që i lejon anullimin e një date zgjedhore, Meta nuk përmendi asnjë sosh, por u mbrojt sërish politikisht, duke sjellë si argument dhe gjakun që mund të derdhej sipas tij.
“E kam bërë në bazë të praktikës së presidentëve. Nuk ma jep asnjë nen, por as nuk ma ndalon. Pyetja nuk është shumë e gjetur. Të gjithë presidentët e mëparshëm kanë bërë të njëjtën gjë për të shmangur kriza dhe gjakderdhje. Presidenti nuk mund të priste që të ndodhte një gjak-derdhje për të ndërmarrë atë akt. Kodi zgjedhor nuk parashikon ndeshje me një kandidat”, tha kreu i shtetit.
Meta vijoi mbrojtjen e tij pa iu referua asnjë neni kushtetues, duke zgjedhur të bëjë vetëm interpretime politike.
“Nuk është hera e parë qenë një presidenti cakton një datë të re zgjedhjesh. Kjo ka ndodhur 5 herë, jo në situata normale. Para se ta bëja dekretin u konsultova, por kur mora këtë vendim situata ishte e çmendur. Çfarë mund të bënte presidenti, nuk mund të priste që të humbte jetën një punonjës policie apo një qytetar. As një nga dy palët nuk do mbante përgjegjësi. Kjo do ta përshkallëzonte më tej atë krizë e cila nuk ishte në interes të vendit”, tha Meta, duke u përballur me akuzën se ka qenë i njënshëm në vendimarrje, thënë kjo nga Bashkim Fino.
“Presidenti duhet të jetë mbi palët. Më keni krijuar përshtypjen që keni qenë i palshëm. Ju thoni se shtyva zgjedhjet se nuk donte një palë, pra nuk donte Lul Basha të hynte në zgjedhje. Po tani që të dyja palët nuk i duan zgjedhjet. Çfarë do bëhet me zgjedhjet e 13 tetorit, prapë do merrni dekret për t’i shtyrë? Të gjitha çfarë thatë i keni me rezerva se ju duhet të jeni mbi palët”, argumentoi deputeti i njohur socialist. /tesheshi.com/