Presidenti Meta, i njohur kohët e fundit për akte e qëndrime “opozitare” në raportet me qeverinë, tha se nuk e përkrah vendimin e opozitës për djegien e mandateve.
Në një intervistë për DW, Meta tha se kjo nuk është rruga e duhur nga ana e opozitës, por që sipas tij edhe qeveria ka pjesën e vet të përgjegjësisë.
“Vlerësoj se çdo veprim ekstrem nuk i shërben demokracisë, nuk i shërben forcimit të institucioneve dhe nuk i shërben njëkohësisht as integrimit europian të vendit, që është dëshira e çdo qytetari shqiptar. Dhe me këtë është e lidhur edhe shpresa për të mos e shpopulluar më tej vendin tonë, sidomos nga të rinjtë dhe forcat më krijuese të tij.
Është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri, të cilët duhet të kuptojnë që përgjegjësitë kryesore për qeverisjen e vendit janë të tyre”, tha Meta.
Por në deklarimet e kreut të shtetit, u veçua ajo që përbën dhe arsyen e madhe të fërkimit mes palëve, sot e gati 5 vite: reforma në drejtësi.
“Është detyra e tyre të japin shembullin të parët në respektimin e Kushtetutës dhe të kufijve që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka përcaktuar qeverisë.
Të respektojnë institucionet e pavarura, të mos ndikojnë te krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë”, ishin fjalët e Metës, ku si në rastin e mendimit opozitar, aludohet se “Rama po kap drejtësinë”. /tesheshi.com/