Presidenti Meta i është rikthyer aktit të tij të një viti më parë, ç’dekretimit të beftë të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe zgjedhjes më pas të 13 tetorit, e kjo, siç e mbrojti atëherë, për t’i mundësuar opozitës që të hyjë në zgjedhje.
Ai e bëri këtë pa asnjë konsultim me palët, pra pa asnjë lloj dakortësie nga ana e tyre, ndërkohë që dhe komuniteti ndërkombëtar nuk ia njohu si akt, duke i qëndruar fort datës së caktuar prej tij me dekret, 30 qershorit.
Por si reagim ndaj një ironie të Ramës një ditë më parë, se ishte gati të takohej me Metën për çështje integrimi, mjaft të mos sajonte ndonjë datë zgjedhjes nga Kushtetuta imagjinare, edhe Meta i është përgjigjur me një farë ironie, brenda së së cilës ka qenë avokatia e vetes për 13 tetorin, gjithsesi i injoruar nga të gjithë aktorët politikë, vendas e të huaj.
“Nuk më ngelet gjë veçse të kujtoj me nostalgji për presidentin ish-komunist Ramiz Alia i cili u shtyu zgjedhjet në vitin 1991 për t’i dhënë mundësi opozitës që të merrte mundësi në zgjedhje”, tha Meta në një konferencë për shtyp.
Por duhej kujtuar se dhe vetë opozita, më saktë PD, s’iu përgjigj Metës më 13 tetor, duke e bërë dekretin e tij të pavlefshëm politikisht. /tesheshi.com/