Presidenti Meta dhuroi gjak në përgjigje të një apeli nga QSUT, e më pas përcolli mesazhe alla Rama për t’u ngujuar në shtëpi.
“Thirrja imë është që të gjithë duhet t’i respektojnë kufizimet se janë për të mbrojtur çdo qytetar, dhe çdo sjellje e pakujdesshme mund të rezultojë fatale jo vetëm për ata por edhe familjarët. Po e shohim se çfarë po ndodh në Italinë fqinje me një sistem shumë herë më të konsoliduar dhe nuk kemi nevojë për të bërë eksperimente.
Është mjaft e rëndësishme të respektohen udhëzimet e autoriteteve të shëndetit por edhe të gjitha kufizimet që janë vendosur, pasi janë në interes të të gjithëve dhe çdo qytetari. Nuk duhen konsideruar si privim por si mbrojtje e domosdoshme në këto momente kritike“, tha Meta.
Ai gjithashtu përkrahu dhe masën e fundit të qeverisë për të nxjerrë ushtrinë në rrugë, kjo pasi u pyet nëse do e mblidhje Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Kjo padyshim që do të ndodhë në kohën e duhur por duhet të kuptojmë që edhe policia edhe ushtrua, të gjitha janë në funksion të garantimit të një disipline që i mbron qytetarët nga pakujdesia dhe njëkohësisht është një mundësi për të dhënë ndihmën dhe kontributin në çdo rast të nevojshme që do të paraqitet.
Kjo situatë kërkon angazhim të gjithë strukturave shtetërore, jo vetëm të bluzave të bardha duhet bashkëpunim dhe reflektim i të gjithëve dhe solidaritet i të gjithëve”, theksoi kreu i shtetit.
Edhe pse nën një armiqësi të thellë, Rama e Meta kanë bërë paqe në distancë këto ditë të vështira, edhe duke vlerësuar e “bindur” njëri-tjetrit. /tesheshi.com/