Eshtë trajtuar si shaka, edhe pse mund të mos ishte e tillë, deklarata e djeshme e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, në lidhje me ish-kryeministrin Berisha.
Pas votimit të ligjit për dekriminalizimin, Meta deklaroi se nuk duhet që deputetët e PD-së të kenë reagime të forta emocionale, ndërsa për paralajmërimin e Berishës se do të lërë mandatin, kreu i LSI-së tha se nuk duhet të ndodhë.
“Doktori është ndarë me kohë nga bojkoti, dhe jam i bindur që do të vijojë të japë kontributin e tij, e me eksperiencën e vet të ndihmojë edhe më të rinjtë në PD. Mos më detyroni të them që po e la doktori mandatin, mund të bëj edhe unë ndonjë hata,” do të thoshte Meta në formë batute.
Përveç aksiomës se shakaja është gjysma e së vërtetës, nga vëzhgues të ndryshëm të politikës po vijnë gjithnjë e më shumë sinjale të përputhshmërisë Meta-Berisha në një pikë: të përplasjes me Edi Ramën për çështjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo siç quhet tashmë, “Policia që do të kapë politikanët e korruptuar”.
Nëse nuk arrihet një konsensus mes palëve për miratimin e reformës në drejtësi, atëherë, siç e ka thënë edhe Edi Rama, do të ketë zgjedhje të menjëhershme, të cilat flitet të jenë në qershor.
Turi i kryeministrit nëpër rrethe ngjan më shumë si një lëvizje elektorale. Megjithatë, skema ndërkombëtare është që reforma të miratohet mes Ramës dhe Bashës, që javën e ardhshme udhëton për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Hataja” politike e Metës, ndërkohë, nëse ndodh, nuk do të jetë një dorëzim mandati, por, pa dyshim, një lëvizje më e madhe, që përfshin largimin nga koalicioni me Edi Ramën dhe vazhdimin e ekperiencës që e la më 1 prill 2013. Kësaj here Meta ka më shumë deputetë, por nuk e ka fuqinë e vitit 2009, kur me katër deputetë mori një të tretën e qeverisë së PD-së.
Artur Zheji, i cili njihet si analist që ka pozicione të afërta me LSI-në, në disa shkrime të tij kohët e fundit rreket të theksojë se partia e Ilir Metës po rritet vazhdimisht. Ndërkaq, para dy ditësh LSI-ja pajtoi një kompani të madhe amerikane lobimi, me një faturë të lartë financiare. Këto janë shenja të qarta se zgjedhjet po afrohen, dhe “hataja” ka shumë gjasa të ndodhë pas tyre. /tesheshi.com/