Me një gjest plot mesazh, ambasadori amerikan në largim në Kosovë, Jeffrie Hovenier, tha se Uashingtoni dëshiron që ta shohë Kosovën të ketë sukses dhe të avancojë, duke shtuar se mbetet i përkushtuar në partneritetin me Prishtinën. E tha këtë para shtatores së ish-presidentit Rugova, duke patur në krah presidenten Vjosa Osmani, një rugoviane gjithashtu, e cila dukshëm po merr mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, në një lloj diplomacia që po tenton të shfaq padakortësi e ftohje më kryemistrin Albin Kurti. Me këtë të fundit, e ftohur është dhe vetë Osmani, zgjedhur president pikërisht nga Kurti, pasi patën një puqje të fuqishme politike.
“Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA-së këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm. Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, theksoi diplomati amerikan.
Gjithashtu, Hovenier vlerësoi rolin e ish-presidentit Rugova për Kosovën.
“E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi Jeffrie Hovenier.
Presidentja Osmani tha nga ana e saj se miqësia me SHBA-të bënë që shteti i Kosovës të ecën përpara në mbrojtjen e plotë të integritetit territorial.
“Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pa ndalshëm qysh para 25 vitesh si një diplomat që merrej me Kosovën dhe kontribuonte për lirinë tonë, për të vërtetën, në veçanti për mbrojtjen e së vërtetë”, tha Osmani.
Ndodh ky zhvillim dy muaj para zgjedhjeve në Kosovë, ku pritet të shpërfaqet dhe qëndrimi i ndërkombëtarëve se cilin preferojnë në pushtet e cilin jo. Sot u dha mesazhi i parë nga Uashingtoni, me ledhatimin e Vjosa Osmanit dhe potencimin e Rugovës. /tesheshi.com/