Vetëm Danilo dhe Casemiro kanë minutazh të duhur nga të gjitha ardhjet e bujshme të klubit madrilen këtë sezon. Kovaçiç, Lucas Vasquez, Casilla dhe Cheryshev nuk kanë arritur ta bindin trajnerin Rafael Benitez t’u japë më shumë minuta në fushë.
Me uljen e Benitezit në stol, skuadra filloi gjatë verës që kaloi afrimet e reja, mes të cilëve dhe ca lojtarë të kthyer nga huazimet. Madrilienët shpenzuan 76 milionë euro për ta pasuruar organikën, e cila po rezulton e panevojshme, pasi shumë pak prej tyre e kanë përligjur shumën e harxhuar për ta.
Vetëm Danilo dhe Casemiro kanë luajtur mbi 50% të ndeshjeve, ndërkohë që kanë zhgënjyer Kovaçiç e Cheryshev, nga të cilët është pritur shumë më tepër.
I ardhur nga Interi për shumën e lartë prej 30 milionë eurosh, kroati Kovaçiç ka zhvilluar vetëm 794 minuta lojë. Ndërkohë, Cheryshev ka luajtur vetëm 117 minuta këtë sezon, në total, vetëm 5% të ndeshjeve.
Kështu si po shkojnë gjërat, ndërhyrja e sërishme në merkato e klubit madrilen duket shumë e mundur. /tesheshi.com/