Gjykata e Apelit djje zyrtarisht publikoi vendimin për rastin “Drenica I”, ku Sami Lushtaku u lirua nga akuza për vrasje, por iu konfirmua dënimi prej 7 vjetësh burg për përgjegjësi komanduese.
Ky vendim e ka shokuar familjen Lushtaku, pasi ata kanë pritur një vendim pozitiv për familjarin e tyre.
Mërgim Lushtaku, djali i Samiut beson se prindi i tij është dënuar pasi nuk kanë pasur mundësi tjetër ta izolojnë dhe ta largojnë për momentin nga skena politike e vendit, dhe siç thotë ai vetëm në këtë mënyrë po mundohen t’ia ndalin autoritetin popullor që e ka.
Mërgimi, në një intervistë dhënë për tesheshi.com thotë se ndaj babait të tij u bë një fushatë e egër që ndikoi tek ndërkombëtarët që ai të dënohet, dhe të shihet si një person që pengon proceset demokratike në Kosovë, për çka pranon se figura të PDK-së heshtën.
Ai thotë se e gjitha është një e pavërtetë e madhe çka do të dëshmohet me kohë, ku më pastaj familja do të kërkoi ndjkejen penale të njerëzve që kontribuan në dënimin e Samiut.
Intervistoi: Blendi Gashi
Gjykata e Apelit dje zyrtarizoi vendimin për rastin ‘’Drenica I’’, ku prindi juaj, Sami Lushtaku u lirua nga akuza për vrasje, por iu konfirmua dënimi prej 7 vjetësh burg për përgjegjësi komanduese. Si e keni prit ju si familje këtë vendim? A keni pasur shpresë se Apeli do të ndërmarrë një vendim tjetër?
Familja ime është shokuar nga ky vendim për arsye se ka prit një vendim tjetër që lidhet me rastin e prindit. Kemi prit që të shqyrtohet vetëm rasti në fjalë që ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore me 12 vjet burgim për një vrasje fantome, pasi që kurrë nuk është ditur as emri, as nuk ka pasur viktimë, as rrethana të shpjeguara dhe dëshmitari ka qenë jo kredibil . Dënimi me 7 vjet për përgjegjësi komanduese, ka shokuar familjen për arsye se të gjitha seancat i kemi ndjekur me vëmendje, këto aktakuza kanë rënë poshtë në Gjykatën Themelore sepse nuk ka pasur asnjë fakt se prindi im ka qenë në prezent në ndonjë rast të tillë, andaj akuzat janë banale me dëshmitarë edhe psiqikisht jo normal me dokumenta. Në asnjë mënyrë nuk e kanë rënduar dëshmitarët për përgjegjësi komanduese, dhe nuk e kanë përmendur që ka qenë në ndonjë rastë në Likofc. Andaj, dënimi i dhënë është vetëm një dëshmi që prindin tim duan ta mbajnë të izoluar sepse nuk është çështje lufte por duan ta eliminojnë politikisht.
A keni biseduar përmes telefonit me babain tuaj pas vendimit të Apelit për dënimin e tij prej 7-vjetësh?
Po kam biseduar unë dhe pjesëtarët e familjes me babain. Edhe ai është i shokuar me dënimin që i është shqiptuar.
Kujt ja hedhni fajin ju si familje për dënimin e prindit tuaj? A do të bëj mbrojtja ankesë në Gjykatën Supreme, para se vendimi të jetë i plotfuqishëm?
Çdo kush ka faj, por siç dihet si shumë shtete edhe në Kosovë ka miq e armiq. Fatkeqësisht edhe brenda EULEX-it ka shumë armiq anti-shqiptarë që janë dhe kjo u dëshmua realisht, dhe brenda këtij misioni dihet se ka shumë njerëz që e parapëlqejnë Serbinë. Ata bashkëpunëtorë, ata dashakeq e armiq të Kosovës kanë bashkëpunëtorë edhe në Kosovë por besoj se ata kurdo herë do të dalin, zbulohet, nëse jo sot e nesër, do të dalin në të ardhmen.
Dhe familja jonë sigurisht se do t’i ndjek proceduralisht ata njerëz që pafajshëm e kanë mbajtur prindin dhe njerëzit e luftës në burg.
A u dënua Samiu vetëm për tu larguar nga skena politike, pasi është konsideruar çdo herë si një politikan i “padëgjueshëm”?
Besoj se nuk kanë pasur mundësi tjera me izolu prindin tim, dhe njëri prej faktorëve është që politikisht të mundohen t’ia ndalin autoritetin popullor që e ka. Shqiptarët e Kosovës e dinë që ndoshta edhe rasti i vetëm në botë është që një kryetar komune zgjedhtë me mbi 92 për qind të votave të qytetarëve, duke qenë në burg dhe duke mos zhvilluar as një ditë fushat zgjedhore si dhe duke mos u premtuar qytetarëve asnjë premtim elektoral , por edhe në këto rrethana qytetaret e Drenicës e dëshmuan mbështetjen dhe besueshmërinë e tyre ndaj babait.
Por ky besim i tyre ndaj tij është falë punës së tij dhe besimin që kanë në të, dhe ata e dine se si ka punuar ai, para, gjatë dhe pasluftës. Andaj vlerësimi më i mirë për të është vlerësimi i qytetarëve. Kështu që familja ime i falënderon të gjithë qytetarët e Skenderajt, e të Drenicës, andaj dënimi i prindit tim është shenjë se disa njerëz nuk duan ta shohin autoritetin që ka ai. Por, prindi im është i gatshëm ta lë edhe politikën për çmimin e lirisë sepse nuk është i interesuar të qëndroi gjithsesi në politikë vetëm nëse i duhet të paguaj kaq shtrenjtë, pra me burg.
Me 5 qershor 2015 babai juaj, shkroi një letër publike në të cilën ai flet rreth dënimit të tij dhe “kontributit” të bashkëpartiakëve të tij në këtë proces. A e tradhëtuan shokët e luftës? Ç’bashkëpunim ka pas vitet e fundit me krerët e PDK-së?
E vërtetë se prindi im ka shkruar një letër ku ka shpjeguar shumë qartë rrjedhat për komandantët e UÇK-së dhe strukturën e saj. Për dënimin e babait tim faj kanë të gjitha partitë në vend. Në Kosovë ekziston mentaliteti se për të përmbytur dikë në politikë duhet folur sa më keq tek ndërkombëtarët, të servilizohesh tek ta, që të kesh ndikim, dhe të krijosh ide të paqena siç është rasti i “Dëshmitarit D”, sepse edhe ai është kundërshtar i babait tim, por familja ime nuk ka besuar që njerëzit mund të shkojnë aq larg me dëshmi të rrejshme.
Fatkeqësisht ka pasur njerëz edhe brenda PDK-së që kanë arsyetuar veprimet e veta kinse babai im është pengesë për proceset e ndryshme politike, por në fakt vet ata kanë qenë pengesë të një procesi të caktuar politik, ndërsa ia kanë hedhin fajin prindin tim tek ndërkombëtarët. Dhe e gjithë kjo fushatë kundër prindit tim ka ndikuar tek ndërkombëtarët por edhe tek qytetarët kinse Sami Lushtaku është pengesë për çdo proces demokratik. Por qytetarët e Skenderajt e dinë më së miri se ashtu nuk ka qenë, dhe ata e dine se sa modest ka qenë babi im me të gjithë qytetarët, pra nuk ka qenë pengesë për asnjë proces politike në vend , por gjithmonë ka punuar që brenda kushtetutës dhe ligjit dhe me marrëveshje me i zgjedh gjitha problemet.
Këta njerëz të PDK-së që kanë “kontribu” në dënimin e babait tuaj a janë figura të larta të partisë?
Nuk është me rëndësi me i identifiku ata njerëz, sepse do ta identifikojnë vetën për arsye se do të tregohet se realiteti është ndryshe dhe do të dëshmohet se prindi im asnjëherë nuk ka qenë pengesë për proceset demokratike.
A po njolloset lufta çlirimtare, pra vet UÇK-ja, me dënimin e ish – komandantëve të UÇK-së?
Çdo herë është tentuar dhe është bërë realisht një gjë e tillë. Vetëm një ditë nëse dënohet një njeri që ka pasur uniformën e UÇK-së e njollos luftën çlirimtare dhe sigurisht dënimi i komandantëve atëherë pranuam apo jo edhe UÇK-ja njolloset. Edhe pse EULEX-i në publik ka thënë se nuk duan ta gjykojnë UÇK-në por individë të caktuar, realisht tregon më së miri dënimin e prindit tim dhe shokëve të tij se ky mision ka pasur qëllim t’i dënoi strukturën e UÇK-së. Dhe me ketë vetëm sa dëshmohet se drejtësia ndërkombëtare dhe një pjesë politika vendore me çdo kusht po tentojnë ta mbajnë në burg Sami Lushtakun dhe grupin e Drenicës.
Ish-lideri i Vetëvendosje-s Albin Kurti në një deklarim bërë në Kuvend ka thënë se “Sylejman Selimi e Sami Lushtaku qëllimisht po izolohen”, siç ka thënë për shkak të përvojës të mire ushtarake që kanë. Si e shihni këtë deklaratë dhe a mendoni dhe ju se babai juaj dhe të tjerët po izolohen që të mos jenë prezent ushtarakisht për të ardhmen e vendit?
Në Parlament të Kosovës ka pasur disa fjalime për dënimin e grupit “Drenica”, ku disa prej tyre kanë qenë të mira disa jo të mira. Gjithsesi deputetë të caktuar janë munduar fjalimet t’i rritin sa më shumë dhe të tregojnë se janë në mbështetje të familjes sonë dhe të dënuarve të tjerë. Besoj se partitë politike synim çdo herë kanë fitimin e poenëve politik nga raste të caktuara dhe kur flitet për një person, këtë rast për prindin time duhet shikuar çfarë kanë thënë personat e njëjtë para se të vije deri te dënimi i tij, për arsye se është bërë propaganda e madhe politike dhe mediale se Sami Lushtaku është pengesë e shtet ndërtimit.
Pra, kjo deklaratë e Albin Kurtit është bërë përfitime politike apo jo?
Unë besoj që disa nga deputetët e janë deklaruar për rastin “Drenica” për përfitime politike, jo vetëm Vetëvendosje, por secila parti.
Për fund, a do të duhej të hetoheshin gjyqtarët dhe struktura e EULEX-it, për vendimet që po merr ndaj ish komandatëve të UÇK-së? A do të parashtroni një kërkesë të tillë?
Do të kërkoj që të bëhet një hetim për gjyqtarët e EULEX-it sidomos për këto vendimet që janë marrë për grupin “Drenica”, sidomos për prindin tim, sepse nuk korrespondojnë me drejtësinë e vërtetë, drejtësinë që mësohet në fakultete e literaturë shkencore, ku thuhet se duhet pasur fakte të mëdha kur dënohet dikush për vrasje apo përgjegjësi komanduese, dhe me raste precedentë. Familja ime do të kërkoj hetim nga organet ndërkombëtare, sepse dyshojmë se këto vendime nuk janë marrë brenda sallës së gjyqit, dhe janë ndryshuar dy apo tri herë dhe besoj se duhet të ketë një hetim të mirëfilltë që të tregoj të vërtetën. /tesheshi.com/