Nga Gerti Gjyzeli
Duke imituar slloganin e lëvizjes anti-racizëm në SHBA “Black Lives Matter” (Jeta e njerëzve me ngjyrë vlen), m’u desh të bëja një paralelizëm të mbrapshtë me solidaritetet e çuditshme që ndodhin herëpashere këtu në vendin tonë.
U bë kohë që hasemi me denoncime në rrjetet sociale për policë të cilët “nuk dinë të sillen” me keqbërësit.
Rasti më i fundit është ai i datës 22.06.2020 ku një polic u pezullua nga detyra për shkak se kishte kaluar kufijtë në reagimin që kishte bërë ndaj një “çuni problematik” i cili kishte kundërshtuar me forcë patrullën e policisë.
Pa dashur të justifikoj policinë për mungesën e edukatës në sjelljen me “çunat”, të cilët realisht para se t’ja nxijnë jetën policëve po ja nxijnë në fillim atyre që i denoncojnë këto raste, më duhet të them se këto reagime të nxituara nga ana e institucioneve të Ministrisë së Rendit për të marrë masa të menjëhershme ndaj policëve në raste të tilla, më shumë ndoshta për të neutralizuar komentet në studiot televizive dhe komentet në rrjete se sa për zbatim të protokollit dhe rregullores të forcave të rendit, dërgojnë një sinjal jopozitiv tek vet trupa e policisë dhe më tej tek ajo pjesë e popullatës (ku rreshtoj dhe veten time) të cilët e kanë humbur (nuk e kanë patur ndonjëherë) simpatinë për çunat problematikë.
Këto lloj çunash në mënyrë të ngadaltë po marrin peng emocionalisht rrugica, lagje e qytete të tëra dhe në mënyrë tëçuditshme po përjetojmë atë që quhet “Sindromi i Skokholmit”, i cili shpreh afeksionin që fillon të ndjejë pak nga pak pengu ndaj pengmarrësit, dhe jemi në pritje që pengmarrësit të fillojnë dhe ato të përjetojnë atë që quhet “Sindromi i Lima-s”, ku ai, pengmarrësi, fillon të ndjejë simpati për pengjet (marrëdhënie e çuditshme dhe e panevojshme).
Në një episod që kam patur më një polic në moshë afër pensionit i cili shërbente ne një postë policie kufitare në jug të Shqipërisë, të cilin e mora në makinë diku afër Tepelenës për në Tiranë dhe i cili zakonisht bënte autostop nga vendi i shërbimit deri në kryeqytet ku jetonte (ndoshta për të kursyer lekët e dietës, nëse merrte një të tillë sigurisht), në bisedë e sipër, pasi ishte rrugë e gjatë, ndër të tjera m’u desh ta pyesja se cila ishte koha ku e kishin ndjerë më shumë solidaritetin, suportin dhe deri diku respektin e njerëzve. Përgjigja ishte pak e papritur (për mua) duke më thënë se kjo kohe ishte viti 1997 (në trazirat e asaj kohë ranë në krye të detyrës 360 punonjë policie), ndërsa kur e pyeta për të kundërtën, atë se kur ishte koha ku e kishin ndjerë më shumë urrejtjen dhe armiqësinë e njerëzve, m’u përgjigj se ishte viti 1991(viti i lëvizjeve demokratike dhe antikomuniste).
Duke shfrytëzuar lirinë që kemi, ndoshta nuk është e nevojshme që të sforcohemi për të ushqyer ndonjë simpati për policinë si ajo e vitit 1997, edhe për faktin se 97-ën shumëkush prej nesh a ndjen të udhës ta fshijë nga kujtesa për gjithëçka përjetuam, por e kemi të lehtë dhe aspak të vështirë që të kuptojmë që dhe jeta e “çunave problematikë” vlen sigurisht, por jo më shumë se e të tillëve “policë problematikë”. /tesheshi.com/