Mbi Vatikanin bektashi në Shqipëri, një projekt i deklaruar hapur nga kryeministri Rama, si rrufe në qiell të hapur, krejt papandehur dhe me një arsyetim kinse në funksion të tolerancës fetare, por krejt bosh dhe pa asnjë bazë logjike, është shkruar dhe në median turke.
Në Sabah, Melih Altinok pyet: “A është shteti bektashi një projekt i Izraelit?”. Eshtë ky titulli i shkrimit të tij, i cili i është referuar një analisti për ta pyetur se ç’fshihet pas këtij shteti, shpallur fill pas vizitës në Shqipëri të presidentit izraeli.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se do të krijojnë një formacion me emrin ‘Shteti Sovran i Bektashinjve’ në kryeqytetin Tiranë, që është pika kryesore e axhendës. Sipas një artikulli në New York Times, Kryeministri Rama dëshiron t’u ofrojë bektashinjve një enklavë si ajo e Vatikanit për të promovuar tolerancën fetare.
Të gjithë filluan të diskutojnë me habi këtë zhvillim, me Euroneës që e quajti “aty ku alkooli do të jetë i lirë”, duke pyetur njëherësh se ‘Nga erdhi ky shtet bektashi?’.
Unë e pyeta Osman Atalay, një nga emrat më të njohur në këtë fushë, se çfarë ndikimesh do të kishte një iniciativë të tillë mbi Turqinë.
Përfundimet që nxora nga shpjegimet e detajuara të Atalay-t janë këto:
Shqipëria, me popullsinë e saj muslimane prej tre milionësh, në bregun e Adriatikut dhe fqinjësinë me Greqinë, është një vend strategjik që tërheq vëmendjen e të gjithëve.
Në vend ka afërsisht 5% popullsi bektashie, mbi të cilët Irani ka pasur disa aktivitete. Megjithatë, bektashinjtë janë më afër SHBA-së.
Ky projekt nuk është një çështje që zgjidhet nga sot për nesër. SHBA dhe Izraeli kanë 30 vjet që ushtrojnë aktivitete ndikimi në Ballkan.
Një djalë i George Soros ka aktivitete të shumta në Shqipëri përmes Fondacionit ‘Open Society’.
Vizita e presidentit të Izraelit në Shqipëri së fundmi nuk duhet injoruar. Herzog u takua gjithashtu me liderin e tarikatit bektashi në Shqipëri, Baba Mondi, i cili ka një histori të dyshimtë, si dhe me numrin dy të KMSH-së.
Në këtë rajon, me një histori 600-vjeçare, nuk duhet të nënvlerësohet ‘operacioni i rrethimit’ të Turqisë”. /tesheshi.com/