Politika është futur sërish në sherr për maturantët. Kryeministri Edi Rama u ka përcjellë një mesazh atyre, si për t’i bindur se skema e re e përzgjedhjes së fituesve, është “rruga e duhur”:
“Të dashur maturantë, sistemi i regjistrimeve në universitete është, për herë të parë pas 25 vjetësh, i gjithi në duart tuaja! Konkurrenca dhe merita janë më në fund dhe në transparencë të plotë përpara syve tuaj! Urime e suksese të gjithëve ndër ju që tanimë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe janë regjistruar, ndërkohë që të tjerët mund të ndjekin në kohë reale zhvillimet për çdo degë, për të përmbushur synimin e tyre.
Deri dje të gjitha këto zhvillime ndodhnin larg syve dhe kontrollit tuaj, në errësirë të plotë, në dëm të konkurencës e të meritës.
Sot ju jeni dëshmitarët e parë të një ndryshimi epokal. Miku, fisi, partia, leku apo shansi qorr nuk kanë më asnjë fuqi mbi fatin tuaj në këtë proces. Atë e keni në dorë ju! Me vemendje e durim ndiqni zhvillimet e raundit të dytë. Mbarësi e suksese!”, shkruan Rama.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i rivalit të tij demokrat, Basha. Në mesazhin e këtij te fundit, fjalët e shefit të qeverisë adresuar maturantëve, janë mashtrim dhe përqeshje”:
“Ata dhe prindërit e tyre që kanë sakrifikuar gjithçka për shkollimin e tyre nuk kanë asnjë përgjigje pse nuk janë vlerësuar rezultatet e shkëlqyera të fëmijeve të tyre. E ndërsa prisnin zgjidhje, autori i kaosit dhe pasigurisë së krijuar iu dhuroi një tjetër mashtrim dhe përqeshje, që në orët e para të mëngjesit.
Nga bordi i një avioni privat, i shkëputur totalisht nga realiteti, Rama vazhdoi avazin e gënjeshtrave dhe talljeve me endrrat e mijëra të rinjve të cilëve ju ka vjedhur të ardhmen me aferat korruptive që fshihen pas pseudoreformës në arsim”.
Për Ramën vlejnë vetëm milionat korruptive që fut në xhepat e tij dhe miqve të tij. Maturantët janë viktimat” e radhës të pushtetit të tij të korruptuar”, ka thënë Basha, duke premtuar se nën qeverisjen e tij do të shfyqizohet ajo që e konsisderon “pseudoreforma Rama” në arsim. /tesheshi.com/