Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Christa Markwalder është shprehur e mahnitur për progresin e Shipërisë, që prej viztës së saj të fundit në vitin 2005. Gjatë një takimi me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, ajo tha se Zvicra ka kontribuar në këtë proçes, përmes investimeve në fushën e forcimit të institucioneve dhe projekteve zhvillimore.
“Kjo është vizita ime e dytë këtu dhe konstatoj se ka pasur shumë progres krahasuar me herën e fundit, që vizitova vendin tuaj në vitin 2005. Jam shumë e lumtur të shoh se sa shumë është zhvilluar Shqipëria gjatë kësaj kohe dhe që Zvicra ka mundur të kontribuojë për këtë me anë të bashkëpunimit në fushën e forcimit të institucioneve dhe përmes projekteve zhvillimore, por gjithashtu në procesin e decentralizimit. Zvicra ka kontribuuar shumë në Shqipëri, duke investuar rreth 90 milionë gjatë katër viteve të fundit në fusha të ndryshme”,- u shpreh Markwalder, gjatë një konference të përbashkët me kryeparlamentarin.
Ajo tha se reforma në drejtësi do të jetë një trampolinë për “thithjen” e investitorëve të huaj në Shqipëri. “Zvicra e ka mirëpritur reformën në drejtësi, sepse ne besojmë që një sistem drejtësie i shëndoshë do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në thithjen e investimeve. Është gjithashtu në interesin e Zvicrës që vendi juaj, dhe në veçanti i gjithë rajoni, të zhvillohet përmes një stabiliteti të vazhdueshëm dhe për këtë arsye parlamenti ka vendosur të vazhdojë me projektet për bashkëpunimin zhvillimor edhe për katër vitet e ardhshme”,-tha ajo.
Nga ana tjetër, Meta vlerësoi rolin e Kooperacionit Zviceran përmes asistencës shumë dimensionale që ofron në Shqipëri dhe në drejtim të projekteve të fuqizimit të qeverisjes vendore, të forcimit të shoqërisë civile dhe drejtimeve të tjera.
“Ne shpresojmë se edhe si rezultat i progresit që Shqipëria po realizon, edhe si rezultat i suksesit që besojmë që do të ketë zbatimi i reformës në drejtësi, në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, të përmirësimit të klimës së biznesit, do të kemi shumë më tepër investitorë zviceranë në të ardhmen, të cilët investojnë në Shqipëri, por edhe njëkohësisht ta përdorin Shqipërinë, si një bazë solide për investimet e tyre, në rajonin tonë”, – tha Meta gjatë takimit.
Christa Markwalder ndodhet për një vizitë zyrtare dy-ditore në vendin tonë./tesheshi.com