Një vejan në Itali ka ndjekur hapat e një shqiptari në Francë, duke denoncuar industrinë e duhanit e cila po i keqpërdorë fotografitë e pacientëve duhanxhinj. Ai tha se kërkon 100 milionë euro kompensim pasi e “takoi” në paketën e duhanit gruan e tij të vdekur, i bindur se prania e saj në ato pako ishte pa lejen dhe dijeninë e saj.
Firma ligjore që po e përfaqëson italianin po kërkon një “zgjidhje ekonomike” me kompanite Philip Morris dhe Swiss Davidoff që kanë marrëveshje marketingu me Imperial Tobacco.
Por zëdhënës nga kompania thonë se nuk kanë të bëjnë me pamjen, duke shpjeguar se paralajmërimet mbi kutitë e cigareve janë çështje e rregulloreve të BE.
Nga vijnë fotot në kutitë e cigareve?
Paralajmërimet shëndetësore në kutitë e cigareve në Bashkimin Evropian vijnë nga një bibliotekë e fotografive e Komisionit Evropian. Të gjitha fotografitë janë të qasshme publikisht dhe identike për të gjitha markat e cigareve.
Një direktivë e Komisionit Evropian të vitit 2014 thotë se çdo pako e njësisë dhe paketimi i jashtëm i produkteve të duhanit duhet të mbajnë paralajmërime të kombinuara shëndetësore, duke përfshirë tekstin dhe një fotografi përkatëse.
Këto paralajmërime të kombinuara me tekst dhe foto vijnë nga një bibliotekë e BE-së që përmban 42 foto të ndara në tri grupe. Fotot ndërrohen çdo vit për të “minimizuar efektin e konsumimit të paralajmërimeve”.
Fotot erdhën nga “kontraktorët e jashtëm”, të cilët kishin një buxhet prej 600,000 € dhe fotografuan 8,000 njerëz në 10 vende të ndryshme të BE.
Komisioni thekson se është në dijeni të identiteteve të të gjithëve në fotografi, por ka pranuar pretendime nga individë që deklarojnë se njerëzit janë publikuar në pako të cigareve pa pëlqimin e tyre. /tesheshi.com/