Qytetarët që kanë blerë apartamente dhe që nuk i kanë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, të mos ndihen të kërcënuar nga shërbimi përmbarimor, në rast se ndërtuesi falimenton, apo nuk shlyen dot kredinë. Lajmi i mirë u bë publik nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një dalje për mediat, i cili pas ankesave të shumta të banorëve ka nxjerrë një udhëzim me qëllim mbrojtjen e tyre.
“Pallatet e ndërtuara me leje ndërtimi, por që gjatë proçesit të ngritjes, apartamentet janë kaluar tek qytetarët me kontratë sipërmarrjeje, me kontratë porosie ose me kontratë premtim – shitje, por që ende nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, sipas këtij udhëzimi do të thotë që konsiderohen të mbrojtura, që do të thotë shërbimi përmbarimor, privat ose publik, kushdoqoftë, nuk mund të sekuestrojë apartamentin e askujt që e ka ende me kontratë sipërmarrje, me kontratë porosie ose me kontratë premtim – shitje. Ka vetëm një kusht, që personi, pra familjari, duhet të tregojë që ka shlyer këstet e pagesave, qoftë dhe një këst të vetëm”, u shpreh Manjani.
Ministri theksoi se është e rëndësishme që qytetarët të kenë një kontratë, të banojnë në shtëpi dhe të vijojë rregullisht proçedura e regjistrimit. Sipas tij, në kushte të tilla, shërbimi përmbarimor nuk mund ta sekuestrojë këtë banesë.
“Ky është udhëzimi im i nxjerrë sot, i cili do t’i bëhet me dije të gjithë përmbaruesve të Republikës së Shqipërisë, por doja ta thoja publikisht, për ta shpjeguar, se kjo është një mbrojtje që ne u japim këtyre qytetarëve, të cilët kanë harxhuar paratë e tyre për të blerë një banesë dhe ne duhet t’ua sigurojmë këtë banesë. Ky është qëllimi i këtij udhëzimi. Përsa i takon pjesës tjetër, ku ndërtuesit nuk kanë paguar kredinë, ose janë debitorë tek tatimet apo diku tjetër, i ftoj të mendojnë dhe të reflektojnë që paratë që kanë borxh, t’i paguajnë qindarkë më qindarkë. Asnjë mbrojtje për ndërtuesit! Kur kanë shkuar tek dera e bankës për të marrë kredi e kanë llogaritur që do ta shlyejnë. Udhëzimi im mbron djersën e ballit që nxjerrin qytetarët shqiptar për të blerë banesat e tyre, këto banesa janë të mbrojtura, por kurrësesi nuk është qëllim që të mbrojmë ata që nuk paguajnë detyrimet. Pra, shërbimi përmbarimor, ka fuqi të plotë ligjore, të “gjurmojë” ku ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshe, cilindo ndërtues që ka borxhe për të shlyer, por jo në kurriz të atyre qytetarëve, të cilët kanë paguar shtëpitë e tyre, por që për arsye proceduriale, burokratike apo po të doni ju dhe korruptive, ende nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë. Kjo është e mbrojtur, tashmë edhe me udhëzim”, tha Manjani.
Gjithashtu, ai ka përcjellë edhe një apel për të gjithë qytetarët që duan të blejnë një pasuri të paluajtshme.
“Cilido që do të blejë një pasuri të paluajtshme, duhet ta bëjë këtë gjë në zyrën e noterit, askund tjetër përveçse në zyrën e noterit. Pse e them këtë? Sepse tashmë me ligj, noteri përpara se të bëjë një shitje të pasurisë së paluajtshme, do të duhet të verifikojë paraprakisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë, lejen e ndërtimit, sepse lejet e ndërtimit tashmë regjistrohen në ZRPP, pa filluar pallati ende. Bashkia jep lejen e ndërtimit dhe ja çon automatikisht ZRPP-së ose hipotekës dhe ajo e njofton noterin. Vetëm pas këtij çasti, noteri jep garanci që banesa mund të shitet, mund të jepet me sipërmarrje apo me premtim – shitje, apo me çfarëdo forme ligjore. Ky është mësimi i nxjerrë! E përsëris, çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë që do të blejë një pasuri të paluajtshme, duhet ta bëj këtë vetëm në zyrën e noterit, të ketë me vete dokumentin e identitetit, të cilin të gjithë ata që e kanë nxjerrë para vitin 2014, duhet të gjejnë pak kohë të shkojnë të aktivizojnë nënshkrimin elektronik, aty ku e kanë marrë këtë dokument, sepse kjo do ta rrisë sigurinë ligjore në 1000%. Në qoftë se dokumenti noterial i blerjes bëhet që në fillim tek zyra e noterit, transaksioni është 100 % i sigurtë, në qoftë se blerja bëhet jashtë zyrës së noterit, shteti nuk ka më asnjë përgjegjësi dhe nuk garanton më askënd”, përfundoi Manjani./tesheshi.com