Në një reagim ndaj statusit të Ramës mbi domosdoshmërinë e një mandati të tretë, rivali i tij Basha tha se kjo nuk mund të ndodhë më.
Në gjykimin e kryedemokratit, Rama duhet t’i qaset familjes dhe jo më vendit.
“Edi, njerëzit e sojit tënd përpiqen t’i bindin të tjerët se po të kenë edhe 4 vjet kohë do të arrijnë gjithçka. Por e vërteta është se kjo nuk ndodh kurrë. Nuk ndodhi as pas 4 viteve të para, por prapë i kërkove Shqipërisë të ta jepte timonin vetëm. E more edhe 4 vjet të tjerë dhe prapë e le në vend numëro.
Ti e ke lënë Shqipërinë në baltë, Edi. Ekonomia ka ngecur. Premtove ulje taksash dhe çmimesh por dështove dhe i rrite taksat dhe koston e jetës për çdo shqiptar. Punësimi ka ngecur. Premtove 300 mijë vende pune por dështove dhe largove qindra mijë nga puna. Shëndetësia ka ngecur…
Edi ti kishe 8 vjet pushtet si askush para teje dhe pas 8 vjetësh vendi ka ngecur vendnumëro. 4 vite të tjera nuk të duhen për shqiptarët, sepse për ta nuk të bëhet vonë. Shqipëria nuk e ka luksin të të japë edhe 4 vite të tjera, që të përfundojë sërish si në fund të këtyre 4 viteve.
Ngecur vend numëro, pa të ardhme, pa shpresë, pa ëndrra. Ik rri me familjen tënde. Shqipëria do të ecë para dhe tani që të gjithë e dinë se kjo nuk mund të ndodhë me ty”, shkruan ndër të tjera i pari i opozitës. /tesheshi.com/