Mbrojtësi francez i Liverpulit, që po spikaste me formën e tij të mirë gjatë periudhës së fundit, ka rezultuar pozitiv pas një testi dopingu.
Testi është bërë me të mbaruar takimi mes Liverpulit dhe Mançester Junajtedit më 17 mars për Ligën e Europës.
Mendohet që lojtari të ketë përdorur një substancë të ndaluar për shkrirjen e dhjamrave. Sakho ka kohë gjer të martën për të bërë një analizë të dytë.
Ndërsa mbrojtësi i Liverpulit po hetohet nga UEFA, nuk ka një pezullim për të. Megjithatë, klubi anglez ka vendosur për të mos e grumbulluar për takimin e sotëm ndaj Njukasëllit.
Vendimi për të mos e grumbulluar me ekipin për sa kohë që UEFA do të vijojë hetimin është marrë pas këshillimeve dhe me vetë lojtarin.
Kolo Toure do të dënohej pesë vite të shkuara për gjashtë muaj ndërsa luante për Mançester Sitin dhe rezultoi pozitiv për përdorim të një substance të ndaluar për humbje peshe.
Po qe se Sakho dështon dhe në testin e dytë, ai mund të dënohet dhe të mbetet jashtë Euro 2016-ës. Franca, në një grup me Shqipërinë në këtë aktivitet, do të mbetej pa dy prej lojtarëve të saj më të mirë, Sakho-n dhe Benzema-në, të lënë më herët jashtë përfaqësueses. /tesheshi.com/