Një pjesë e botës kanë kthyer vëmendjen këto ditë tek një prej plojave më të tmerrshme njerëzore, atë që po ndodh në Mianmar. Atje, shumica budiste, përfshirë dhe strukturat qeveritare, po ushtrojnë një genocid të paparë e të padëgjuar mbi një komunitet pakine të quajtur Rohingya, të përbërë nga banorë muslimanë.
Pamjet që vijnë nga Mianmari, shfaqin llahtarat e njeriut mbi njeriun, pa asnjë vraje ndërgjegje nga autorët e masakrave. Dhe i gjithë ky zhvillim makabër, ka në qendër një nobeliste paqeje, tregues kuptimplotë i marrëzisë se ca çmimeve, përfshirë dhe vetë Nobeli-n, që jo në pak raste ngjajnë sa groteske aq dhe absurde.
Aung San Suu Kyi është gruaja që udhëheq këtë vend, e shenjtëruar me çmime, tituj e vepra artistike mbi “paqen” e saj. Por mjafton të shohësh se ç’ndodh në vendin që ajo udhëheq për të kuptuar se ajo nuk mund të ketë asnjë lidhje, as me paqen e as me humanizmimin më minimal.
Dhe ja kush është gruaja e cila këto ditë është etiketuar si “nobelistja e turpit”:
Aung San Suu Kyi fitoi çmimin “Saharov” për Lirinë e Fjalës në vitin 1990 dhe çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991, për një luftë të padhunshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Kjo grua, e cila pothuajse përjetoi statusin e Nelson Mandela-s, mori shumë çmime dhe dekorata në shumë vende. Janë shkruar shumë libra për të. Grupi irlandez i rrokut U2 ia kushtoi nobelistes një këngë Walk On. Gazeta britanike “New Statement” përpiloi një listë të “50 heronjve të sotëm”, në krye të së cilës u vu kjo nobeliste. Një dramë e titulluar “Lady Of Burma” në teatrin e vjetër “Vic” të Londrës, është shkruar në nder të saj. Regjizori francez Luc Besson në vitin 2011 në Aung San xhiroi një film biografik për të, titulluar “The Lady”. Pra, me gjithë këto nderime, çdokush ka të drejtë të mendojë: “Kjo është një heroinë vërtet, një grua e paarritshme!”.
Por kush është në të vërtetë “heroina” e Mianmarit, një grua me konstitucion të brishtë dhe një zemër guri, e cila me qetësi vëzhgon tmerret dhe makabritetet mbi popullsinë muslimane Rohingya në vendin e saj? Në tragjedinë që po ndodh atje, fituesja e çmimit Nobel Aung San Suu Kyi, një e preferuar e Perëndimit dhe, siç e quanin pra “ikona globale e luftës për të drejtat e njeriut”, po luan një rol të turpshëm. Në fakt, ndërsa ishte në burgjet e juntës ushtarake, ku e gjithë bota po qante pas saj, vetë ajo nuk lëshonte asnjë lot për rohingasit e persekutuar, siç ndodh dhe sot.
“Ikona Globale e luftës për të Drejtat e Njeriut” po vëzhgon në mënyrë pasive vuajtjen e popullatës Rohingya dhe me autoritetin e saj nuk po bën asgjë për të lehtësuar vuajtjet e këtij populli “të harruar”. Problemi është se Aung San Suu Kyi në të vërtetë është duke qëndruar ekskluzivisht prapa traditës së saj budiste, por jo edhe prapa më shumë se 40 për qind të popullsisë së Mianmarit, e cila i përket minoriteteve, duke përfshirë edhe minoritetin musliman Rohingya. Ajo dështoi të dalë nga gjiri i kulturës së një shumice budiste, që tradicionalisht e konsideron veten superiore në nivel etnik dhe fetar.
Pas marrjes së Nobel-it për Paqe në vitin 1991, gazetari pyeti Aung Sanin nëse ajo mendon se pjesëtarët e komunitetit musliman Rohingya duhet të trajtohen si pjesëtarë të plotë të Mianmarit? Dhe gruaja nobeliste iu përgjigj: “Vërtetë nuk e di!”.
As ajo e as partia e saj, asnjëherë nuk u përpoqën të distancohen nga mënyra se si shteti i trajton banorët e Rohingya-s e as që kanë shprehur ndonjëherë epzmin e tyre për vuajtjet me të cilat ballafaqohet kjo popullatë.
Popullata Rohingya është grupi më i madh etnik në botë që nuk ka shtetësinë e asnjë vendi, nuk gëzon asnjë të drejtë civile as njerëzore. Ata nuk kanë të drejtë të marrin as një letërnjoftim si qytetarët e tjerë të Mianmarit. Në vend të letërnjoftimit atyre u jipet një e ashtuquajtur “kartë e bardhë”, e cila shërben ekskluzivisht vetëm për evidentimin nga ana e autoriteteve.
Dhe tashmë ky komunitet po rrezikon shfarrosjen në mënyrën më çnjerëzore që mund të ketë parë historia njerëzore.
Përgatiti Jeton Zenuni – /tesheshi.com/