LSI ka pritur dhe një deklaratë nga ana e BE-së lidhur me trazirat dje në Kuvendin shqiptar, ku opozita kundërshtoi ashpër zgjedhjen e Kryeprokurores së re, e ku në ballë qëndronte pikërisht ajo si forcë politike, për të shprehur qndrimin e saj.
Edhe LSI thotë se e dënon dhunën, e për këtë arsye i mbështet plotësisht qëndrimet qortuese të të kancelarive kryesore të Perëndimit. Por në konceptimin e partisë së znj. Kryemadhi, dhunë është dhe shkelja e Kushtetutës. Pra, një ironi e lehtë me qëndrimet e Uashintonit dhe Brukselit
“Mbështesim plotësisht deklaratat e bëra nga përfaqësitë e huaja diplomatike në vend që dënojnë dhunën e ushtruar në Kuvendin e Shqipërisë. Dua të theksoj se ne jo vetëm i mbështesim, por i dënojmë njësoj si ata me shumë forcë dhunën e ushtruar ndaj Kushtetutës së Shqipërisë, si udhërrefyesin kryesor të funksionimit të një shtetit.
Dënojmë marrjen peng të reformës në drejtësi, të asaj reforme tek e cila besuan të gjithë qytetarët.
Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave dhe dua të risjell në vëmendje tërheqjen me forcë që iu bë deputetës më të re të Kuvendit të Shqipërisë Floilda Kërpacit, madje duke e gjakosur atë, britamet e një nëne që tërhiqej nga policia e shtetit.
Dënojmë marrjen në polici të disa vajzave të reja që polotësonin në Rinas.
Dënojmë fyerjen dhe përdorjen që iu bë një gruaje që u zgjodh me vota të paligjshme në krye të Prokurorisë duke e detyruar atë të bëhej pjesë e një loje të shëmtuar të Ramës, i cili përveç kryeministrit emëroi veten në krye të këtij institucioni.
Ne jemi në kauzën për një drejtësi të pavarur dhe do të vazhdojmë misionin tonë me mjete demokratike për t’ia kthyer Shqipërinë gjithë qytetarëve”, tha Klajda Gjosha në emër të LSI-së, deri dje minister në kabinetin e Ramës. /tesheshi.com/