Ose prindërit e fëmijëve dhe fëmijët e prindërve
Që Sali Berisha dhe Saimir Tahiri janë njohur për herë të parë nën një hënë të keqe, kjo është një gjë që e di edhe Doktori, edhe ministri. Që kanë alergji dhe antipati të plotë, të thellë, jo vetëm politike, por dhe personale, kjo është një shfaqje që shqiptarët e shohin sa herë ata të dy janë pranë njëritjetrit ose sa herë ata janë larg dhe kujtohen për njëritjetrin.
Konflikti mes tyre është si dikur në Luftën e Ftohtë: konflikt total dhe një ndarje totale e asgjesuese mbas një perdeje të hekurt, mosbesuese dhe mohuese të gjithçkaje të njërit tek tjetri.
Në fakt, në vështrim të parë këto dy personazhe janë shumë larg dhe teorikisht duhet të kishin
shumë pak hapësirë për t’u kryqëzuar me një urrejtje kaq të thellë dhe dërmuese. Kanë shumë
diferencë moshe, kanë diferencë në formim dhe në mënyrën e ardhjes në politikë. Sipas bindjes që prologu të kushtëzon edhe epilogun.
Megjithatë, së paku nga njëra anë, pakkush nga socialistët mund t’i errë aq shumë sytë Doktorit sa Tahiri. Dhe së paku nga ana tjetër, Tahiri është nga të vetmit vijimëtarë si dje edhe sot, në të njëjtin stil betejash kundër Doktorit.
Sherri mes tyre ka vite që ndodh. Duke nisur prej gjashtë vjetësh kur Tahiri mori mandatin e parë si deputet dhe u bë një nga opozitarët më të zëshëm kundër Doktorit, atëherë në mandatin e tij të dytë.
Tahiri u identifikua fort fillimisht sepse ishte nga të rrallët deputetë socialistë që nuk përtonte të dërgonte kurajon e tij politike nga ekrani në ekran e nga studioja në studio për hir të bindjes politike.
Për më shumë, kjo ndodhte në kohën kur një pjesë jo e vogël e deputetëve socialistë, ose shanin pas shpine kryetarin e tyre Rama, ose merreshin me punët e tyre vetjake që përfshinin edhe flirtin në distancë apo në afërsi e fshehtësi me Doktorin.
Në atë kohë, Tahiri ishte nga të rrallët e sojit të tij që i përmendte Akilit thembrën, domethënë, i
përmendte Doktorit dy fëmijët e tij. Kjo ndeshje e vazhdueshme e kishte tërhequr zvarrë më shumë se njëherë deputetin socialist në dyert e gjykatave, aty ku hija e Doktorit ishte shumë e fortë dhe basti i deputetit me fëmijët e Doktorit ndahej shpejt e thjesht: njëri shpifës, të tjerët viktima të shpifjes që duheshin dëmshpërblyer.
Rotacioni i solli socialistët në pushtet dhe rolet u ndryshuan. Tashmë ishin gjithë të tjerët që donin të ishin sa më pranë e më poshtë hijes së gjatë të Ramës, të shndërruar në kryeministër dhe sa më larg ishkryeministrit. “Ishi”, sipas traditës që tregon se çfarë ndodh me kalin mbas kalimit të lumit, ishte shndërruar në një tabelë të mrekullueshme qitjeje, që kur goditet, dëshmon besnikëri dhe aftësi për të shërbyer. Dhe socialistët e bëjnë sot të gjithë e pa përjashtim.
Ndeshja me Doktorin shërben edhe si alibi për çdo mosrealizim të mundshëm të të majtëve. Sepse sipas zakonit shumë të vjetër në Shqipëri dhe sërish sipas traditës për të krahasuar “dje me sotet” dhe për të dëshmuar diferencat e progresin, Doktori vlen edhe në një plan tjetër. Ai është gjithmonë pika e krahasimit për të treguar çfarë bëhet mirë sot sepse dje ishte bërë keq ose që çfarë do që të ndodhë sot, nuk mund të jetë më keq se dje.
Njëlloj siç ishte dikur Ahmet Zogu për komunistët e Hoxhës.
Një nga të vetmit që nuk ka ndryshuar në këtë ripozicionim sherresh është çifti problematik Berisha-Tahiri.
Por me role të ndryshuara. I dyti përdor të njëjtin regjistër opozitar si dje, por me kostumin e rëndë të ministrit të brendshëm që tregon çfarë po bëhet mirë sot duke dëshmuar edhe se çfarë
është bërë keq dje. Dhe mbi të gjitha, kur vjen momenti apo më saktë kur e kërkon momentin, e trajton sërish Doktorin si Akilin sepse e di ku i çalon thembra. I përmend fëmijët dhe kaq mjafton që lufta mes tyre vetëm të vazhdojë. E egër dhe pa kompromis. Por nuk ka ndryshuar as Doktori. Me siguri do të donte ta bënte fiks të njëjtën gjë si Tahiri, doemthënë të kishte “prova, fakte dhe grupfakte” që djali i ministrit, sa për të marrë një shembull, është bandit e trafikant. Por ai i shpëton nga radari dhe i rri larg nga goja sepse është fare i mitur dhe vetë Tahiri është ende një burrë i ri në moshë. Por në luftën dhëmb për dhëmb të “çiftit” asnjë armë nuk është e pistë. Dhe Doktori nuk përton të kacaviret tek gjyshërit e të miturit, tek prindërit e ministrit. I quan trafikantë e grabitës. I
përmend me emër e mbiemër në parlament dhe nuk lë fjalë të ligë të fjalorit pa jua veshur si këmishë force. Bëmë baba të të ngjaj, kësaj here quhet politikë! Ose vazhdon të jetë politikë qarku i mbyllur mes prindërve të fëmijëve dhe fëmijëve të prindërve. Por nëse një prind ka gjithmonë përgjegjësi për fëmijën e tij, një fëmijë thjesht mund të nderohet apo të poshtërohet nga emri që i kanë dhënë prindërit.
Vetëm komunistët dje mendonin si Berisha sot! Por dhe ky nuk ishte kulmi i të enjteve normale të parlamentit. Sepse u tha edhe që punonjësi i policisë në Lazarat është ekzekutuar nga “miqtë e partisë”. Çfarë mund të ketë pas saj? Politika shqiptare ka dëshmuar se asnjë kulm i saj nuk është përfundimtari sepse vazhdimisht e vazhdimisht prodhon të njëjtin bulmet të helmatisur me kulme që ndjekin njëritjetrin.
Në parlament u përmend droga, paratë e pista, u përmendën edhe vrimat e dukshme dhe ato që njeriu i fsheh nga sytë e dynjasë edhe pse i ka gjithmonë me vete. Vetë kryeministri Edi Rama foli disa herë. Ai përdori shumë shpesh një togfjalësh: spital psikiatrik.
Duket se është deklaratë dëshpërimi. Sepse nuk ka Doktor që do ta shpëtonte parlamentin e sotëm shqiptar, me atë çfarë ndodh brenda gardhit të tij. Madje as nuk është punë doktorësh, sa kohë që një Doktor e solli virusin e kësaj mynxyre. Ka vetëm një zgjidhje: sëmundje si kjo nuk merren seriozisht; ato kalohen me të qeshur. Edhe nëse ky spital psikiatrik, siç thotë kryeministri, është duke
jetuar nën një hënë të keqe. Si ajo hëna nën të cilën u panë dikur Doktor Berisha me Saimir Tahirin. Siç janë parë gjithë armiqësi kundërshtarët politikë në këtë vend që nga koha kur ky vend u bë shtet.
Marrë nga javanews.al