Prej fillimit të vjeshtës, në politikën shqipare kanë dalë dy lista të veçanta politike që duket se gjenerojnë në boshllëk, por që realisht kanë bërë llogaritjet e tyre.
Janë Koço Kokëdhima dhe Ben Blushi që kanë ngritur lëvizjet e tyre për të hyrë në vorbullën e zgjedhjeve të 18 qershorit.
Po si mund të lëvizë ish-deputeti Kokëdhima me partinë e tij “Zgjidhja”, por edhe Blushi me “Libra”-n e tij në një terren që duket shumë i pamundur për partitë e vogla, duke ditur se në këtë hapësirë të ngushtë do të ecin edhe agrarët e Agron Dukës, Gjergj Bojaxhiu, demokristianët e Ndokës, apo edhe partia e Petro Koçit, Skënder Gjinushit, ballistët, legalistët e kështu me radhë?
Por ndërsa një pjesë e partive të vogla e kanë gjetur rehatinë, duke u strukur në çadrat e të mëdhenjve për të tërhequr ndonjë drejtor drejtorie, Kokëdhima, Blushi, Duka edhe Ndoka luftojnë për t’u ribërë deputetë.
Deri tani Duka e Ndoka janë në aleancë me Bashën dhe, nëse vazhdojnë këtë koalicion, ata pritet që të favorizohen nga votat e përbashkëta si parti e dytë apo e tretë.
Por enigma politike e 2017-s janë posaçërisht Kokëdhima dhe Blushi, dy personazhe tejet të kundërta, madje edhe që e kanë sulmuar njëri-tjetrin, por që tani ndodhen papritur në një mejdan, me interesa të afërta.
Qëllimi i tyre është një: të arrijnë humbjen e Edi Ramës në zgjedhjet e 18 qershorit.
Ndërsa një vit më parë, Ben Blushi, në pamfletin me titull: “Funerali i Rilindjes” sulmonte Kokëdhimën si “kanabist” dhe ky i fundit Blushin si anarkist, sot të dy ish-anëtarët e kryesisë së PS-së janë në rrugën e përbashkët të mbijetesës.
Por pse ata nuk bashkohen në koalicion me ndonjë forcë politike që të arrijnë të bëhen deputetë apo me njëri tjetrin si lëvizje?
Ky është një fjalëkryq i vështirë, por po ta studiosh me kujdes performancën politike të dy lëvizjeve, tashmë antagoniste dhe “shizmatorike” të së majtës, kanë një qëllim të caktuar dhe jo një objektiv optimal.
Të dy grupimet po harxhojnë të gjitha forcat që Edi Rama të mos dalë parti e parë dhe të mos marrë 71 deputetët që Ilir Meta përmendi dje në konferencën për shtyp, dhe ku më pas Rama iu përgjigj indirekt se i merr që sot pa LSI-në.
Blushi ka caktuar si kryetarë në disa qytete kryesore, pasi nuk është konstituuar në të gjitha, disa ish-socialistë të pakënaqur nga pushteti i Rilindjes.
Porosia e dhënë tek këta socialistë është pikërisht mbledhja e sa më shumë njerëzve që do të largoheshin nga “tufa” e votave tradicionalisht socialiste.
Njëjtë edhe për Kokëdhimën. Ai po grumbullon rreth vetes ata njerëz që në 2013-n arritën që të punësohen në vende kyçe në administratë e më pas janë larguar; vetëm një pjesë, pasi të tjerët vazhdojnë ende dhe veprojnë si “agjentë të fjetur”.
Dhe të gjithë këta do të orientohen në momentin e fundit se për kë të votojnë.
Vetë Kokëdhima nuk do të paraqesë kandidatë direktë në zgjedhje, Blushi jo në të gjitha qarqet.
Fitorja e këtyre dy figurave nuk është marrja e sa më shumë votave, por shkëputja e sa më shumë votave nga PS-ja, pra Rama. Edhe retorika politike e tyre atë synon, mllefin dhe sulmin për “Rilindjen që mashtroi socialistët”.
Dhe në fund të gjithë i shërbejnë “të majtës së bashkuar” që thotë Meta, i cili nëse PS nuk do të marrë 71 vota, atëherë do të hyjë në koalicion me kushte krejt të tjera; të është bëra prezente nga Nikollë Lesi, Ilir Kulla dhe Ylli Manjani.
Thënë shkoqur: kreu i LSI të bëhet kryeministri i një qeverie të “së majtës së bashkuar”, duke e nxjerrë jashtë loje Edi Ramën.
Blushi e Kokëdhima do të kërkojnë zbatimin e statutit, pra që kryetari të largohet ngaqë PS nuk ka fituar mazhorancën dhe Meta bën qeveri me socialistët e “vjetër”.
Kaq e thjeshtë është loja….
/tesheshi.com/