“Mund të them se ishte vërtet e vështirë, por nuk ishte,” ka deklaruar me sinqeritet Jurgen Klopp, trajneri i Liverpulit, pasi skuadra e tij fitoi 4-0 ndaj Evertonit në derbin e Merseyside-it.
Një fitore ku Liverpuli dominoi fund e krye gjatë gjithë ndeshjes, veçanërisht në pjesën e dytë, pasi Evertoni mbeti me dhjetë lojtarë pas largimit me karton të kuq të Ramires Funes Mori-t.
“Nuk pati më luftë të vërtetë. Kjo nuk është e zakonshme,” ka shtuar Klopp.
Evertoni nuk ka fituar në “Anfield” që nga viti 1999, por paraqitja e mbrëmshme ka qenë tërësisht shkatërruese.
“Më keq se kaq nuk mund të shkonte,” do të thoshte trajneri i Evertonit, Roberto Martinez.
Në një ndeshje ku u duk shkoqur epërsia e Liverpulit, me 37 goditjet në portë, Evertoni pati vetëm tre të tilla, me asnjë prej tyre brenda kuadratit.
Martinez e ka përshkruar humbjen e së mërkurës si momentin më të keq të tij prej kur gjendet në krye të Evertonit.
Në fitoren e Liverpulit ndaj Evertonit në kampionatin anglez u shënuan nga dy gola për çdo pjesë për vendasit. Origi e Sakho realizuan në fund të 45 minutave të para, ndërsa rezultatin e thelluan Sturridge dhe Coutinho në fraksionin e dytë të lojës.
Evertoni po zhvillon një prej sezoneve më të dobëta në vitet e fundit, kurse e kundërta po ndodh me Liverpulin që prej ardhjes së Jurgen Klopp-it. Në vend të shtatë aktualisht në Premier League, Liverpuli mund të ngjitet më lart në javët e mbetura nëse ruan të njëjtën formë. /tesheshi.com/