Në ndeshjen më të rëndësishme të javës në kampionatin anglez, Liverpuli ka gjetur më në fund fitoren. Një sukses që e kërkonte prej kohësh, por që do të vinte vetëm ndaj Totenhemit.
Pesë takime në Premier League pa fituar, që prej fundit të dhjetorit të vitit të shkuar. Më 2 janar, Liverpuli barazon 2-2 me Sandërlendin, më 15 të të njëjtit muaj vjen barazimi 1-1 me Mançester Junajtedin, gjashtë ditë më vonë është humbja 2-3 në shtëpi ndaj Suonsi Sitit, më 31 janar pason barazimi 1-1 me Çelsin, e më 4 shkurt kemi humbjen 2-0 ndaj Hall Sitit.
Një Liverpul që rezultatet më të mira i ka me skuadrat e kreut, siç bën sonte, teksa fiton 2-0 me Totenhemin. Dy golat vijnë shpejt, në minutën e 16-të e të 18-të, e kanë një autor: senegalezin Sadio Mane.
Fitore që e ngjit Liverpulin në vend të katërt në klasifikim, edhe pse mund të bëjë paksa prapaktheu, në varësi të rezultatit të ndeshjes së Mançester Sitit.
“Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme në sulm në pjesën e parë dhe në mbrojtje në pjesën e dytë. Kemi potencialin për t’u paraqitur shumë më mirë. Mundësia tjetër është kundër Lestërit,” është reagimi i parë i Jurgen Klopp-it pas kësaj fitoreje të madhe.
Po sot, mes takimeve të tjera, Arsenali fitoi 2-0 ndaj Hall Sitit; me të njëjtin rezultat, Mançester Junajtedi mposhti Uotfordin. Çelsi e Mançester Siti i luajnë nesër e të hënën ndeshjet e tyre. /tesheshi.com/