Pas vendimit për tërheqjen e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës – të pakënaqur me lëvizjet e Prishtinës zyrtare – Lista Serbe bëri thirrje për tubim protestues, i cili do të mbahet të dielën në veri të Mitrovicës.
Në të njëjtën kohë, NATO, KFOR dhe OSBE i bënë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje.
Ftesën për tubimin në Mitrovicën e Veriut e ka publikuar Lista Serbe në Facebook.
“Vëllezër dhe motra, le të mblidhemi të gjithë në një tubim të përgjithshëm në Mitrovicë në orën 12, para monumentit të Car Llazarit, nga ku në mënyrë unike dhe unanime do t’i themi Evropës dhe botës se vendi ynë i vetëm është Serbia. Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë. Flamuj në dritare”, kanë thënë ata në postim.
Tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë shpërthyen pasi afati i caktuar nga qeveria e Kosovës për zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave të lëshuara në Serbi, të cilat përdoren nga serbët në Kosovë, skadoi në mesnatën e 31 tetorit.
Beogradi e sheh vendimin si shkelje të një marrëveshjeje të mëparshme sipas së cilës targat, sipas rekomandimit të misionit të OKB-së (UNMIK), duhet të kenë shenjën neutrale të KS-së, dhe jo të Republikës së Kosovës (RKS), siç insiston qeveria e Albin Kurtit.
NATO, KFOR dhe OSBE me thirrje për vetëpërmbajtje
Forca paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë (KFOR) ftoi Prishtinën dhe Beogradin që të diskutojnë dallimet përmes dialogut konstruktiv.
“Ne jemi duke monitoruar situatën dhe jemi duke punuar ngushtë me liderët në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë që të ruajmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në një deklaratë.
Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoan, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përhapjen e tensioneve.
“Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të përpiqen të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin (tensioni)”, ka shkruar Geoana në Twitter dhe ka shtuar se ka diskutuar “situatën e tensionuar në veri të Kosovës” me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Dhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për angazhim politik proaktiv për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve.
Ai theksoi se angazhimi më i fortë në dialog është vendimtar për ruajtjen e interesave të dy palëve, por edhe të sigurisë.
Ai po ashtu ka theksuar se OSBE-ja është e gatshme të vazhdojë të ofrojë mbështetje në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /tesheshi.com/