Të vendosurit izraelitë në territoret palestineze kanë ndërmarrë 11 mijë sulme që nga nisja e vitit, tha Liga Arabe, në një deklaratë ku vihet në dukje se përpjekjet e tyre për të hyrë me forcë në xhaminë Al-Aqsa në Jeruzalemin Lindor janë shtuar në mënyrë të paprecedent.
Të dielën, të vendosurit hebrenj ngritën flamujt izraelitë jashtë dyerve të pikëkalimit në Jeruzalemin Lindor, që u pushtua nga Izraeli në vitin 1967.
Ky hap erdhi një javë pasi ekstremistët hebrenj i vunë zjarrin një shtëpie në Nablus, në Bregun Perëndimor ku humbi jetën nga flakët edhe një foshnje 18 muajshe.
Liga Arabe akuzoi autoritetet izraelite se financojnë të vendosurit dhe ekstremistët për të vijuar sulmet e tyre kundër xhamisë al-Aqsa dhe Jeruzalemit.
“Shkeljet izraelite janë në kundërshtim me Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat legjitime ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e trupës pan-arabe, që mban përgjegjëse Izraelin për krimet e kryera nga ekstremistët hebrenj.
Liga kërkoi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe nënshkruesit e Kartës së OKB-së e marrëveshjes së Gjenevës të ndërhyjnë për të ndalur sulmet e ekstremistëve.
Për muslimanët, xhamia Al-Aqsa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë, ndërsa hebrenjtë i referohen si “mali Tempull” ku ata pretendojnë se kanë qenë tempuj të lashtë hebrenj.
Përpjekjet për të hyrë në kompaundin që rrethon xhaminë, janë shoqëruar shpesh herë me përplasje e me raste edhe përballje të dhunshme. /tesheshi.com/