Pothuajse të gjithë ne jemi në favor të demokracisë tani. Por çfarë është Demokracia? Ne priremi ta dimë derisa na pyesin. Lajmet e aktualitetit shtojnë konfuzionin. Një referendum plotësisht demokratik në Francë vret ndryshimet kushtetuese që përndryshe, sipas mbështetësve të tyre, do ta kishin bërë Bashkimin Europian më demokratik. Liderët e Kinës post-maoiste premtojnë të mirat materiale fillimisht e më pas ndoshta demokracinë. Draftuesit irakenë të një kushtetute demokratike që do të zëvendësonte tiraninë një-partiake, nuk bien dakord në lidhje me qasjen legjitime për ligjin fetar. Secila nga këto tema prek thelbin e demokracisë. Në çfarë niveli politik funksionon më mirë? A është e negociueshme në këmbim të prosperitetit dhe stabilitetit? Sa shumë mund të goditen pakicat nga ana e shumicave në emër të saj? Asnjëra prej këtyre pyetjeve nuk është thjesht akademike.
T’u përgjigjesh të gjithave në më pak se 250 faqe do të ishte një akt heroik. Profesori i teorisë politike në Universitetin e Kembrixhit, John Dunn, arrin t’i cekë të gjitha në një ese të pasur dhe të shkruar rrjedhshëm. Ai përshkruan sesi nisi qeverisja nga populli dhe çfarë ndodhi me të më pas. Ai përzjen historinë dhe idetë, duke sjellë argumente të gjalla bashkëkohore pro dhe kundër demokracisë, sidomos nga revolucionet amerikane dhe franceze. Një libër me një performancë mjeshtërore.
Libri nis me Athinën e shekullit të pestë, prej nga rrjedh edhe termi “demokraci”. Sistemi i saj kompleks i vetë-rregullimit nga një qytetari aktive mbetet arketipi i llojit të demokracisë së drejtpëdrejtë apo pjesëmarrëse. Pas përjashtimit të çerek milioni gra, fëmijë, të huaj dhe skllevër, qytetarët e Athinës numëroheshin vetëm 30 deri në 40 mijë. Kjo pakicë fatlume angazhohej, ose kishte të drejtën të angazhohej në qeverisje më shumë sesa njerëzit kanë marrë pjesë ndonjëherë prej asaj kohe.
Shumë më tepër njerëz kanë mundësi të thonë fjalën e tyre për mënyrën sesi qeverisen sot, por ka më pak zgjedhje. Votuesit përzgjedhin midis një grupi të vogël politikanësh që konkurrojnë për të drejtën e pushtetit. Virtualisht, asnjë nga teoricienë te demokracisë përfaqësuese – Madison në të djathtë apo Robespieri në të majtë – nuk mendonte për ndonjë lloj tjetër. Kaq të ndryshme janë llojet e demokracisë së drejtpëdrejtë dhe asaj përfaqësuese sa që autori Dunn mendon se nuk ka arsye që ne të përdorim për të dyja të njëjtën fjalë. Megjithatë ai nuk është një kritik i pandryshuar që e sheh demokracinë moderne si një turp. Duke e vënë këtë në dukje ai vë në dukje një preferencë universale njerëzore që ta bindin për të bërë diçka më shumë sesa të jetë i detyruar.
Dunn njeh edhe ndikimin shtrembërues të parave dhe interesave të veçanta. Ai tregon historinë e Demokracisë që prej shekullit të 18-të si një konflikt midis egoizmit dhe barazisë, kodit për kapitalizmin e tregut të lirë dhe demokracinë sociale. I pari ka triumfuar, na thotë autori, në kurriz të së dytës. Të paktën nga pikëpamja historike, gjykimi do të tingëllonte shumë i fortë. Kapitalizmi modern ka mbijetuar dhe ka lulëzuar jo vetëm pse solli të mira materiale. Ai kaloi përmes krizave të shekujve të 19-të dhe të 20-të, në pjesën më të madhe falë stabilizuesve të mundësuar nga ndërhyrja e shtetit si arsimi publik, mirëqënia sociale dhe sigurimet shoqërore që e zhvendosin disi aksin në favor të barazisë ndaj pjesës së egoizmit.
Autori Dunn prek edhe shumë çështje të tjera, po ashtu. Libri “Të çlirosh popullin” ( “Setting the People Free”) është shkruar në mënyrë të qartë dhe provokative, edhe ku argumentet janë shumë të ngjeshura. Herën tjetër që dikush do të flasë në emër të Demokracisë, duhet të hapet ky libër. Kush dëshiron të mendojë më thellë për të metat dhe sfidat e Demokracisë, mund t’ia nisë që këtu.
Përgatiti: Juli Prifti -/tesheshi.com/