(Shënime për librin Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët) të Petro Markos
Keltët kur shkonin në luftë linin nga një gur një vend të caktuar në të dale të vendbaimit të tyre. Kur ktheheshin nga lufta merrnin gjithësecili gurin e lënë. Gurët që mbeteshin në stivën e ndërtuar në nisje ishin të rënët në betejë…
Për Petro Markon gurët e mëhallës së tij kanë gjithnjë një histori, ndaj mbeten aty, plot krenari, duke pritur “t’i dëgjojmë”. Ndërsa retë, edhe mbajnë shumë, edhe pse sjellin jetë, mbeten gjithnjë në ikje. Duke përshkruar veten mes gurëve dhe reve, Petro Marko ka mundur të sjellë lëvizjet dhe qëndrimet e tij në jetë, duke kthyer sytë nga “romani që kishte brenda tij”. Dhe gurët “përdorin” dorën e Petros për të thënë shumë.
“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiu” (Petro Marko, Intervistë me vetveten “Retë dhe gurët”).
E gjithë jeta e tij ishte një betejë. Njohjet, lufta, refuzimet dhe dashuritë në heshtje, ishin lumi i nëndhshëm që e mbajti gjallë gjoksin e tij, duke mos u dorëzuar. Shkroi pa fund, dhe u refuzua pa fund. E kur mikesha e tij italiane e këshilloi që “romanin ta shihte tek vetja” ai vendosi të sjellë një rrëfim mes atij që do të mbetej e atij që do të udhëtonte në çdo kohë.
Janë aty, në ato faqe, fëmijëria, marrëdhënia me të parët e tij, vajtja në Luftën e Spanjës, bashkimi me partizanët italianë e më pas edhe përpjekja e pashtershme për të mbijetuar përballë atyre me të cilët nisi bashkëudhëtimin përmes të njëjtit idela dhe mbërrii në vetmi. Pikërisht ashtu siç i linte ai sistem të gjithë ata që dinë të mendojnë dhe që luftojnë të mbeten vetvetja.
Petro Marko mbart absurdin e njeriut që e dënoi dhe shpëtoi letërsia. Njeriun që deshi ta sillte përmes romaneve të tij, duke nisur që nga “Hasta la vista” më 1958 me Gorin dhe Anitën, nuk ja deshën kurrsesi shokët e idealit. E shkuara e përbashkët në ideale gjatë luftës veçse e ndihmoi të mbetej në këtë jetë, por është e vështirë të themi se “ishte i gjallë”. Mosbotimi apo heqja e së drejtës për botim, burgosja e të birit, Jamarbërit, e bëri që t’I kthehet më së shumti letërsisë autobiografike.
Petro Marko nuk e ka “fundin” kur përshkruan fillimisht luftën e Dytë Botërore. Notat e tij idealiste kanë dhënë nota më të zbehta të së keqes, siç përshkruanin bashkëkohësit e tij të luftës, si Hemingueji apo Remarku te “Lamtumirë armë” apo “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” . Por deri në momentin kur atij iu desh të përballej me kotësinë e asaj që kish ëndërruar bashkë me shokët e idealeve. Njeriu që ai donte të sillte përmes letërsisë, njeriu që dashuron, që sheh botën me shumë humanizëm, që nuk shtanget nga ajo që mungon, ishte njeriun që sistemi ia pati mbyllur derën. Ndaj Petro Marko kthehet ne vetë personazh, ku jeta që ëndërroi lozi mbi përditshmërinë e tij, duke e kthyer në të refuzuar, siç kish ndodhur edhe me Lasgushin, ku gjallesa e tij ishte me letra e nuk thuhej kurrë.
Petro mbeti vetë “një gur rëfimi”, ndaj dhe letërsia e tij, e nisur nga “Retë dhe gurët” është vetëshpjegimi i madh e letrares së tij. Nuk e ka kursyer vetën nga asgjë, sepse ai kurrë nuk pati frikë. Galeria e tij e ngjarjeve dhe emrave është rindërtimi i një jete që përmes letërsisë hartoi edhe vetveten. Ai ishte njëkohësisht shkrimtari dhe personazhi, letrari dhe letrarja.
Stili i Markos është i drejtëpërdrejtë. Ai ishte realist dhe këtë kërkonte edhe nga të tjerët. Madje, ja kërkoi këtë gjë edhe Migjenit, pas takimit me të përpara se të udhëtonte drejt Spanjës, për t’iu bashkuar fronitit të luftës. “Ti shkruan errët dhe duhet të shkruash më hapur që të kuptohesh nga lexuesit. Ne duhet të shkruajmë më thjesht” (Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq. 167). Ky stil bëri që intervista me vetveten të bëhet pjesë e rëndësishme e romaneve dhe e gjithë prozës së tij, pasi tashmë nuk ish thejsht një personazh, por ishte vetë kryepersonazhi. /tesheshi.com/