Për herë të parë që pas shpërthimit të krizës, e po ashtu pas ç’dekretimit të zgjedhjeve, presidenti Meta i ka dërguar një ftesë kryeministrit Rama, duke i kërkuar që të vijë në presidencë për të biseduar.
E njëjta ftesë ka shkuar dhe për Bashën, e ndërkohë që kreu demokrat është treguar “gati-tu”, ai i mazhorancës e ka refuzuar në mënyrën e tij.,
“Për shkak të fushatës elektorale që po zhvillohet sipas dekretit presidencial, ku 30 qershori është përcaktuar datë zgjedhjesh, kabineti im ka komunikuar telefonikisht pamundësinë për këtë takim. Po meqë Ilir Meta vazhdon të luajë letrash, ja dhe me shkrim: Kemi zgjedhje, jam i zënë”, shkruan Rama.
Madje ka shtuar se: “E meqë ra llafi tek loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çmendurie pres edhe nje tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor”.
Ka pasuar pas kësaj një tjetër reagim nga Presidenca, ai i zëdhënësit Tedi Blushi, i cili shkroi: “Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka ftuar zyrtarisht në takim kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Partisë Demokratike për të biseduar për situatën politike në vend. Takimi me z.Basha është fiksuar të zhvillohet nesër në ora 09:00. Duke qenë në dijeni që z.Rama është i zënë me takime, Presidenti do të jetë nesër në zyrë nga ora 05:00 deri në ora 13:00 duke pritur sërish që kryeministri të gjejë kohë“. /tesheshi.com/