Rezoluta më e fundit e Kombeve të Bashkuara ku SHBA dhe Rusia u bënë bashkë për të kërkuar zgjidhje për Sirinë, pritet të hapë rrugën që vitin e ardhshëm përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm pesëvjeçar në këtë vend, të intensifikohen. Analistët thonë se në këtë pikë që kanë mbërritur punët, askush nuk është në gjendje të fitojë luftën në Siri, e prioritet për diplomacinë ndërkombëtare është të gjejë një mënyrë sesi ta ndalë konfliktin.
Washington Post në një editorial argumentonte se aktualisht, gjithë faji për intensifikimin e konfliktit në Siri i mbetet Moskës. Por, kjo e fundit, nga ana e vet, është e patrazuar në përdorimin e Sirisë për politikat e veta të brendshme dhe të jashtme.
Në një bllok zyrash trendi në Moskë, me dhjetëra të rinj rusë dizenjojnë ato që i cilësojnë vepra arti për të ngritur lart figurën e presidentit Vladimir Putin. Një poster ngre pyetjen: “Për çfarë ëndërron Superman-i?”, duke treguar superheroin në gjumë me pizhamat e Putinit.
Propaganda ruse është një udhëheqëse shumë e mirë për të kuptuar synimet e Putin. Për të tërhequr vëmendjen e popullit të tij nga rrudhja e ekonomisë ruse, presidenti po inskenon një seri spektaklesh që e nxjerrin atë si burrë të fortë: aneksimin e Krimesë, brejtjen e territorit ukrainas e së fundmi edhe bombardimet në Siri.
Putin, thonë analistët, është forca më përçarëse në gjeopolitikë.
Siria është kombi më i shkatërruar aktualisht mbi tokë. Në 2016, bota do të shohë ndërveprimin mes tyre.
Putin thotë se kërkon të luftojë ISIS, por bombat e raketat e tij kanë rënë si breshër mbi grupet e tjera kryengritëse. Qëllimet e tij të vërteta ka gjasa të jenë mbështetja për presidentin Bashar al-Assad, despotin sirian që është klienti i fundit i Rusisë në Lindjen e Mesme dhe për të fituar një vend në tryezën ku liderët botërorë vendosin se ç’duhet bërë në Siri.
Cinikët thonë se Putin nuk kishte shanse ta bënte me keq se ç’ishte Sirinë. Rreth 250 mijë njerëz kanë humbur jetën në luftën civile që ka përfshirë vendin. Gjysma e popullsisë është zhvendosur nga shtëpitë e tyre, duke “përmbytur” vendet fqinje e duke sjellë një krizë të paprecedent refugjatësh në Europë. Assad mund të jetë i keq, thonë disa, por rrëzimi i tij mund të çojë në diçka edhe më të keqe: kaosin e stilit libian, masakrimin e alauitëve (popullit të Assad-it) dhe një forcim të ISIS.
Por, Putin mund t’i bëjë gjërat edhe më keq në Siri. Ai nuk mund ta fitojë këtë luftë, por në mungesë të një angazhimi më të madh amerikan, ai mund të ndihmojë Assad-in të mos e humbasë atë. Amerika, thonë analistët, duhet t’i japë fund vakuumit të pushtetit. Nëse Barack Obama do të ndërhynte që në nisje të luftës, Siria mund të mos ishte tmerri që është sot. Duke i thënë Assad-it se përdorimi i armëve kimike mbi popullin e tij do të ishte një “vijë e kuqe” dhe më pas duke mos bërë asgjë kur ai e kaloi këtë vijë, ishte një nga gabimet më të rënda të politikës së jashtme të Obamës, pasi ai pranoi mungesën e zgjidhjes nga superfuqia që drejton.
Pas gati pesë vjetësh luftë civile, Siria është tashmë terren shumë më i vështirë për të ndryshuar lojën. Dy nga grupet më të forta kryengritëse janë po aq të pamëshirshme sa edhe regjimi i al Assad: ISIS dhe fronti al-Nusra, degë e al Kaedës. Të quash pjesën tjetër të kryengritësve të përçarë, do të ishte një nënvlerësim: ata janë të copëzuar në rreth 7 mijë grupime.
Amerika u përpoq të krijonte një forcë të re të kryengritësve të moderuar, si quhen, mirëpo rezultatet janë qesharake. Deri në fund të vitit 2015, vetëm gjysmë duzine kryengritësish të trajnuar nga amerikanët luftonin në Siri, më pak sesa një në secilin pikëkalim. Amerika me të drejtë hoqi dorë dhe mbështeti grupimet më pak të tmerrshme që aktualisht kanë shfaqur progres në terren.
Të gjitha opcionet në Siri për vitin 2016 janë të këqija. Prioriteti i Perëndimit, thonë analistët, duhet të jetë ndalja e luftës. Që kjo të ndodhë, duhet që NATO të ketë një qëndrim më të vendosur. Një president më i guximshëm amerikan do të kishte vendosur me kohë një zonë të ndalim-fluturimit në Siri dhe zona të sigurta për sirianët e zhvendosur nga lufta. Amerika, sidoqoftë, duket të rrisë mbështetjen për grupimet më pak ekstremiste, përfshirë ata që luftojnë kundër ISIS, por gjithashtu edhe ata që përpiqen të mbrojnë komunitetet e tyre nga Assad.
Vetëm nëse krijohen fakte të reja në terren, shtetet mund të jenë në pozicion më të mirë për të negociuar fundin e luftës. Një gjë e tillë do të thotë edhe angazhim me të gjitha fuqitë që ndikojnë nga jashtë në konflikt, përfshirë Rusinë, Iranin, Turqinë, Katarin dhe Arabinë Saudite. Për të sjellë Rusinë në tryezën e bisedimeve, Amerika mund të detyrohet të shtyjë për më pas çështjen e largimit të Assad.
Jepini paqes një shans
Çdo vend dëshiron mposhtjen e ISIS, por për pothuajse secilin prej tyre ky është një objektiv dytësor. Duke pasur parasysh telashet e pafund të ushtrisë amerikane në veri të Irakut, askush nuk dëshiron të hyjë në Siri, të largojë ISIS nga bastionet që mban atje dhe t’i japë fund pushtimit të territoreve.
Kështu, thonë analistët, baza më e favorshme për të negociuar paqen është si vijon. Së pari, fuqitë e jashtme duhet të ndërgjegjësohen se nuk mund të fitojnë çdo gjë që duan në fushëbetejë. Së dyti, nevojitet që ato të kuptojnë se sa më shumë zgjaten luftimet në Siri, aq më shumë kjo nxit ekstremizmin të cilit ia kanë aq shumë frikën.
Sikundër në Bosnje në vitet ’90, presioni nga Amerika dhe aleatët mund të jenë forca përfundimtare që pjesa më e madhe e palëve luftuese të merren vesh për armëpushim. Kompromiset diplomatike të nevojshme për një paqe jetëgjatë do të jenë të shëmtuara: qeveria post-Assad nuk do të jetë liberale dhe nuk do të ketë kontroll në të gjithë Sirinë. Por, Siria nuk mund të shpresojë për më shumë. Dhe pasi të marrin fund kompromiset për t’i dhënë fund luftës mund të nisë detyra e ngadaltë dhe e vështirë e izolimit dhe mposhtjes së ISIS.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/