Nga Bardha Nergjoni
Artan Mullaj mund të cilësohet pa mëdyshje shkrimtari më i mirë i kohës së internetit, pasi komunikimin e tij me ndjekësit e ka të përditshëm, të spikatur dhe të pranuar gjërësisht. Thëniet dhe mesazhet që përcjell nuk janë thjesht një ushqim i shijshëm që konsumohet lehtë dhe lë shije pozitive tek mijëra lexues. Sigurisht që Artani është edhe shkrimtar i letrave. Librat e tij kanë qenë dhe janë të suksesshëm. Së fundi “Dashuri në Kosovë” është pritur aq mirë nga publiku sa edhe për vetë shkrimtarin ka qenë një surprizë e këndshme. Ka pasur raste që edhe e kanë cilësuar pasues të Kadaresë për thellësinë e mendimit, figuracionin e larmishëm dhe fabulat ndjellëse, por ai nuk e konsideron veten të tillë. Si shkrimtarët e mëdhenj, shprehjet e tij pushtojnë rrjetet sociale shpesh pa autorësi dhe mbushin boshllëkun e krijuar nga realiteti, zhgënjimet, dhimbjet apo dashuritë. Marrëdhënien me publikun e tij virtual, Mullaj e quan një kontratë të ndërsjelltë besimi dhe vlerësimi. Ndërkohë sa për pozicionin e tij në letërsi, shkrimtari nuk pëlqen të rënditet as tek romanet rozë dhe as tek kadareizmi por profilin e tij e përvijon me individualizmin krijues që konsiderohet atë një çelës suksesi. Për këto dhe të tjera, Artan Mullaj i është përgjigjur pyetjeve në një intervistë për tesheshi.com.
Mullaj, ndoshta mund t’ju përcaktojnë sot shkrimtarin më social për shqiptarët, pasi ndjekësit tuaj janë të shumtë në rrjetet sociale. Çfarë mendoni se tërheq kaq shumë te thëniet tuaja? A mos vallë kjo ndodh ngaqë i thoni njerëzve atë që duan të dëgjojnë?
Pyetje e thjeshtë që të vë në një situatë të vështirë. Çfarëdo që të them, rrezikoj të dal nga shinat e modestisë. Nuk është e lehtë të shpjegosh apo të përkufizosh vëmendjen publike në një garë të tillë sociale. Vetëdija se kjo garë sociale është e vetmja që ka nivelin e nevojshëm të ndershmërisë, së paku në Shqipëri, e vështirëson edhe më shumë këtë gjë. Them ka dozën e duhur të ndershmërisë, sepse në rrjetet sociale gjithkush është i lirë të mendojë dhe të përballet me një publik gjykatës të ftohtë dhe të paanshëm, shpesh edhe të pamëshirshëm Unë, si shkrimtar, kam thuajse çdo ditë diçka për të thënë, ndërsa si çdo qytetar kam një reagim personal ndaj gjërave që ndodhin rreth meje, por edhe brenda meje. Mënyra si i perceptojmë gjërat përcakton atë çka ndiejmë, dhe rrjetet sociale janë një mënyrë e mirë për të ndarë me të tjerët, miqtë dhe kundërshtarët, emocionet e përditshme.
Në përgjithësi publiku social vlerëson shkallën e ndjeshmërisë, thellësinë e të menduarit, por edhe mënyrën e prezantimit të tyre vetëm atëherë kur ato prekin apo përfaqësojnë ndjeshmërinë dhe perceptimin e tyre.
Mendoj se lexuesit tërhiqen nga letërsia që i përfaqëson ata, që përshkruan jetën me problemet e tyre, që i bën ata të ndihen të vlerësuar.
Ndoshta kjo ndodh, sepse unë përpiqem të shkruaj çfarë ata kanë vërtet nevojë të dëgjojnë.
Si ndiheni kur ju kopjojnë, ju ndajnë apo ju komentojnë për ato çfarë shkruani? Përgjithësisht, jemi mësuar të ndajmë shprehjet e shkrimtarëve të mëdhenj. A e ndieni veten një shkrimtar me të gjitha cilësitë e të mëdhenjve të letërsisë?
Si ndihem?!
Qëllimi, misioni, vizioni i një shkrimtari është komunikimi me lexuesit e tij. Në thelb, shkrimtar është ai që ia del të provokojë vëmendjen e atyre për të cilët shkruan; vëmendja e publikut është kushti që njeriu i letrave të meritojë hyrjen në “tempullin e shenjtë” të letërsisë. Them “tempull i shenjtë”, sepse në të nuk mund të hysh veçse me dashuri; në të kundërt, nëse mungon ky komunikim, nuk ka arsye, as rëndësi të shkruash, të krijosh. Kjo është një kontratë e heshtur mes njerëzve, që, me dashurinë e tyre për artin, krijojnë një idhull, dhe autorit, i cili, me respektin e tij për ata që e lexojnë dhe e ndjekin, krijon një publik.
Dashuria dhe respekti i ndërsjelle përbëjnë kushtin që kjo kontratë të shkojë gjatë, deri në fund.
Besoj është e qartë që, duke përmbledhur çfarë thashë më sipër, unë jam një shkrimtar i mrekulluar me kënaqësinë që u jep vepra ime lexuesve të mi.
A dashuron Artan Mullaj, apo është i zhgënjyer? A vijnë këto mesazhe nga zhgënjimi, dashuria e thellë, vëzhgimi i imët…?
Të dashurosh dhe të jesh i zhgënjyer nuk përjashtojnë njëra – tjetrën. Përkundrazi. Shkrimtari do të ishte një njeri i zakonshëm, nëse me veprën e tij nuk do të synonte të zbukuronte rutinën e të tjerëve. Dashuria është frymë! Asnjë kryevepër botërore nuk do ishte shkruar nëse ajo nuk do të shoqëronte proceset vijuese të krijimit. Dhe natyrisht, kjo nuk vlen vetëm për letërsinë.
T’i kthehem pyetjes suaj. Nuk është e rëndësishme mbi ç’përvojë burojnë mesazhet që synon të përcjellë një shkrimtar në veprën e tij; nuk ka rëndësi nëse janë përvoja personale të autorit apo momente të shkëputura nga jeta e tjetërkujt. E rëndësishme është të kesh instinktin rrëzëllues të perceptimit për shkaqet dhe pasojat e ndodhive; të kesh aftësinë për të kuptuar të padukshmen dhe për të vlerësuar të paqartën; të kesh ndjeshmërinë e nevojshme për të kuptuar magjinë e ndjenjave njerëzore, pafundësinë dhe madhështinë e tyre; për të kuptuar mrekullitë e kësaj bote, por edhe dëshpërimin e saj, dhe, më kryesorja, të kesh krenarinë dhe guximin të synosh që këtë ndjeshmëri, zbërthyer në emocione, t’ua përcjellësh lexuesve, publikut që përmenda më sipër.
A “kopjon” Artan Mullaj?
Shumë ndjesë për modestinë në këtë rast, por unë mendoj se asnjë shkrimtar i afirmuar nuk ka nevojë të kopjojë askënd! Rutinshëm, shpesh edhe shëmtuar, ndodh e kundërta. Vlerësimi i autorësisë në rrjetet sociale është një betejë e humbur. Shumëkush kopjon shumëçfarë. Më ndodh shpesh të shoh në internet pasazhe nga shkrimet e mia analitike apo nga librat e mi, të shpërndara nën emra autorësh anonimë. Ky është një realitet, nevoja e pranimit të të cilit, do ish një ngushëllim nëse kuptohet në kohën e duhur.
Kopjimi apo abuzimi social me autorësinë është një lloj takse që të sukseshmit duhet ta paguajnë për famën e tyre. Por natyrisht, si shumica e autorëve në botë, unë kam qenë i ndikuar në fillimet e mia dhe më tej nga idhujt e mi të hershëm. Nuk mund të them që nuk jam përpjekur të imitoj apo të krahasoj punën time me atë të tjerëve. Dhe, sa më i ri kam qenë, aq më shumë krahasohesha me më të mëdhenjtë, derisa, si shumica e krijuesve, një moment zbrita me këmbë në tokë dhe nisa të bëj rrugën time, mirë a keq, të pashkelur.
“Dashuri në Kosovë” është romani që vazhdoni të promovoni. A i arriti ai pritshmëritë tuaja?
E them pa drojë dhe me kënaqësi fëmijërore që “Dashuri në Kosovë” ishte dhe është një surprizë. Është e vetmja vepër që mundi të më bindë se kufijtë e besimit dhe kënaqësisë sime intelektuale nuk ishin aq larg sa mendoja. Më ka ngazëllyer suksesi dhe jehona që ka bërë. Nuk jam ndier “i madh”, por jam ndier “i bekuar”. Stafi im merr vazhdimisht ftesa nga zona dhe vende të ndryshme brenda dhe jashtë vendit për promovimin e tij dhe ribotimet e romanit vazhdojnë me të njëjtin ritëm.
Ndër kritikë të ndryshëm kam dëgjuar se ju krahasojnë në versionin Daniel Still apo kryesisht të romaneve rozë. Ju ku e renditni veten?
Nuk ka asnjë lidhje mes veprave të mia dhe “rozës” që thoni. Nëse do të ishte kështu, do të kisha fituar patjetër ndonjë çmim kombëtar nga Ministria e Kulturës. Unë jam diku mes së shkuarës dhe së ardhmes sime…
E mendoni veten pasues të Kadaresë?
Është ndjesi e bukur të të krahasojnë me Kadarenë. Kjo ndjesi fillon e bëhet interesante kur zërat vlerësues shtohenrrebesh. Pastaj, interesante, ndonëse jo më bukur, është edhe kur disa kalojnë në teprim, duke preferuar veprën time më shumë se kryeveprat e Kadaresë. Kjo është pjesë delikate e atij komunikimit me lexuesit, për të cilën u shpreha në fillim, për arsyen e thjeshtë se është larg së vërtetës.
E vlerësoj këtë pyetje, për shkak se dua shumë të sqaroj diçka lidhur me këtë gjë. Kadareja është dhe do të mbetet “Patriarku i Letrave Shqipe”, jo thjesht për cilësinë e lartë të teknikës së të shkruarit, apo për ndjeshmërinë gjeniale të të menduarit, por edhe për shkak se ai, si asnjë autor tjetër shqiptar apo ballkanas, arriti të fusë në arenën botërore të vlerësimit një rrymë të re në letërsi: “Kadareizmin”. (ashtu si Markezi ja doli të krijojë dhe të konkurrojë të mëdhenjtë botërorë të së shkuarës me “realizmin magjik”).
Ismail Kadare nuk prodhoi thjesht një letërsi të mrekullueshme, por solli një epokë të re brenda saj. Për këtë arsye unë mendoj se Kadareja vështirë të ketë pasues apo të mund të zëvendësohet ndonjëherë.
Ju edhe pikturoni. Si ju erdhi ky frymëzim, pasi piktura kërkon edhe teknikë, edhe talent, edhe përkushtim?
Piktura nuk është frymëzim për mua. As thjesht pasion, e ca më pak thjesht talent. Piktura është profesioni im. Unë kam studiuar dhe kam punuar aq sa të jem me të po aq krenar sa edhe me librat e mi.
Thoni se hyni e dilni në Shqipëri për të marrë dozën e acarimit me realitetin. Vazhdoni të mendoni kështu?
Më vjen keq t’ju zhgënjej, por unë jam në listën e madhe të atyre që e shohin ende trishtë të ardhmen e vendit të tyre. Por unë jam shkrimtar. Ndryshe nga shumica e tyre, përpiqem të gjeneroj shpresë, për veten dhe për të tjerët. /tesheshi.com/