Një fundjavë tjetër e mbyllur me sukses për futbollistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Mesfushorët kuqezinj, por në ngjyra të tjera klubesh europiane, e kanë bërë mirë detyrën duke realizuar gola vendimtarë për skuadrat ku luajnë.
Amir Abrashi realizoi një supergol ndaj Duisburgut me skuadrën e tij Freiburg, në sfidën e mbullur me rezultat të barabartë (1-1).
Albion Avdijaj shpëtoi skuadrën e tij Vaduz në transfertën e vështirë ndaj Zyrihut. Avdijaj golin e shoqëroi me rënie në sexhde, por që 20 minuta para fundit u ndëshkua me karton të kuq.
Tjetër paraqitje pozitive për mbrojtësin e kombëtares kuq e zi, Elseid Hysaj, që me skuadrën e tij Napoli regjistroi një tjetër fitore të rradhës. Shkodrani zhvilloi një lojë tejet pozitive duke i kontribuar kështu napolitanëve të marrin pikët e plota përballë skuadrës së Udineses (1-0).
Baselit nuk i ecën pa shqiptarët, pasi u mposht këtë javë ndaj Grasshoppers (2-3), në sfidën ku munguan vetëm shqiptarët. Në fakt, Xhaka e Ajeti u inkuadruan në lojë 15 minuta nga fundi, por që nuk arritën të shpëtonin kampionët në fuqi nga humbja. Shkëlzen Gashi sërish nuk ishte në planet e Urs Fischer.
Në Kroaci, Odise Roshi ishte shqiptari i vetëm që u aktivizua. Ai ishte i pranishëm për 60 minuta në fushën e blertë, në triumfin prej 2-1, të skuadrës së tij ndaj RNK Splitit të shqiptarëve tjerë që munguan në këtë sfidë për shkak të kartonëve. Amir Rrahmani dhe Bekim Balaj ndeshjen e ndoqën nga tribuna. /tesheshi.com/