LeBron Xhejms “zbret” sërish në planetin Tokë, për të shënuar 57 pikë në ndeshjen që Klivland Kavaljers fituan ndaj Uashington Vizsards në basketbollin amerikan të NBA.
Në një paraqitje mbreslënëse, Mbreti Xhejms siç thirret nga tifozët, bëri i vetëm skuadrën, duke shënuar performancën e dytë më të mirë të karrierës.
Pavarësisht mbrojtjes të dubluar që Vizards bënë, Xhejms ishte thjesht i papërmbajtshëm, duke shënuar 57 pikë, duke marrë 11 topa në tabelë e duke dhënë 7 asiste për shokët e skuadrës. Me këtë fitore, Klivland ndërpreu serinë e 4 humbjeve rradhazi.
“Ato humbje duhej të merrnin fund. Bëra atë që duhej të bëja. Unë nuk jam nga ata që flas, unë luaj basketboll dhe urrej të humbas” – deklaroi Mbreti pas ndeshjes. Pas 57 pikëve të kësaj ndeshjeje, LeBron Xhejms kaloi kuotën e 29 mijë pikëve në NBA, duke u bërë basketbollisti i shtatë që e kapërcen këtë kufi.
Por Xhejms është lojtari më i ri që ka kaluar këtë kuotë, pasi është vetëm 32 vjeç, e sic ka thënë vetë, do të luajë në nivele të larta, të paktën edhe për 5 vite. /tesheshi.com/