Roland Shembitrasi, shqiptari i vrarë në vitin 2017 në Athinë, është njeriu të cilit i janë sekuestruar 1 milion euro pasuri të vendosura në disa banka të nivelit të dytë, e që ishin “nën kujdesin” e tre familjarëve të tij, meqë ai vetë ka ikur nga kjo botë. Media zbuloi identitetin e tij pak orë pasi policia bëri të ditur aksionin e sekuestrimit, ku ish-trafikanti jepej me iniciale.
“Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve dhe llogarive bankare që dyshohet se rrjedhin apo janë përfituar nga veprimtari kriminale, pas procedimit nr.443 të vitit 2017, Policia e Shtetit bazuar edhe në shkëmbimin e informacioneve me partnerët, referoi materialet e para në Prokurori për fillimin e procedimit pasuror për shtetasin R.Sh. Në vijim u regjistrua edhe procedimi pasuror me nr.8, i vitit 2018.
Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Hetimore Qendrore, u informua nga agjenci ligj zbatuese për veprimtarinë e kundërligjshme të shtetasit R.Sh. Bazuar në materialet e dërguara nga Policia e Shtetit, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi sekuestro preventive për llogari bankare të shtetasit të lartpërmendur dhe familjarëve të tij.
Kështu në gusht 2018 u bë ekzekutimi pranë një banke të nivelit të dytë, i vendimit për vendosjen e sekuestros së llogarive bankare në emër të shtetasve: K.Sh. R.Sh. V.Sh. dhe A.Sh., në vlerën 42.000.000 lekë.
Pranë një tjetër banke të nivelit të dytë, u bë ekzekutimi i vendimit të gjykatës për vendosjen e sekuestros së llogarive bankare në emër të shtetasve:
• K.Sh. në shumën 17.033.337 lekë;
• B.Sh. në shumën 924.922 lekë;
• R.Sh. në shumën 51.444.350 lekë.
Në total u sekuestrua shuma 111.402.609 lekë, të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale të shtetasit R.Sh. në fushën e “Trafikimit të lëndëve narkotike”, në Greqi. Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të luajtshme apo të paluajtshme si dhe llogari bankare të dyshuara me prejardhje kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. /tesheshi.com/