Nga Ylli Pata
Edi Rama ka prej pesë muajsh që bën kalkulime, madje deri në precizion, me grupin e tij të këshilltarëve të huaj për të dalë nga rrethimi i Metës dhe i çadrës, e më pas për paktin me Bashën, në fund për të fituar “atë shejtan timoni” vetëm, siç e kërkoi në zgjedhje, por nëse kërkon shejtanin, normalisht që do gjesh belanë.
Kryeministri, prej fitores të 25 qershorit ka llogaritur si do të jetë qeveria e re, kush do të emërohet dhe ku, çfarë do të jetë dhe cili; ka deleguar dhe Gramoz Ruçin-kryetar Kuvendi, përveç të tjerave edhe për arsyen që të disiplinojë punimet e tij, që të mos ketë seanca propagande si 4 vitet e Ilir Metës.
Por nuk e ka çuar fare në mendje se pikërisht ai, Doktori që ka qenë halli i tij Edi Ramës për 8 vite, mund ta ketë në dorë mazhorancën e sotme për më shumë se 3 seanca Kuvendi.
Po për çfarë bëhet fjalë?
Sipas Kushtetutës së Republikës, seanca e parë e Kuvendit duhet të drejtohet nga deputeti më i vjetër. Dhe Sali Berisha i plotëson kushtet edhe të moshës, por edhe të viteve si parlamentar i Kuvendit. Ish-kryeministri, është i vetmi së bashku me Gramoz Ruçin dhe Tritan Shehun që vijojnë të jenë deputetë që nga viti 1991. Dhe pra Doktori, duke qenë se është edhe më i moshuar në vite, por edhe që ka qenë President dhe Kryeministër, i plotëson të gjitha premisat për të drejtuar seancën e Kuvendit.
Dhe një seancë nën drejtimin e Sali Berishës është arma më e duhur për opozitën e Lulzim Bashës për ta nisur mbarë sezonin politik të ri.
Doktori mund të sjellë aty ku do ai diskutimin, duke hapur një betejë të fuqishme me Gramoz Ruçin, për ta dobësuar dhe delegjitimuar postin që do t’i japë Rama, më së pari duke i përmendur të kaluarën si Ministër i Brendshëm në vitin 1991.
Në një farë mënyrë Doktori mund të bëjë të njëjtën gjë që Esat Mikullovci po bën në Kosovë, ku si deputet i Vetëvendosjes ka një muaj që po i bën “zbor” partisë së Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit.
I vetmi ndryshim është që mazhoranca në Tiranë i ka numrat për të zgjedhur kreun e Kuvendit dhe qeverinë.
E nëse Berisha pranon të jetë një Mikullovc, armët e tij do të jenë loja me proçedurën dhe lufta psikologjikë.
Në lidhje me proçedurat, mund të ndodhë preçedent i VRMO-së në Shkup, pra që të vonohet sa më shumë zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit me diskutime pafund të deputetëve të opozitës, të cilët do të provokonin replika të mazhorancës dhe mund të kemi një teatër pa lekë për ditë të tëra.
Në fund, mazhoranca mund ta zgjedhë Ruçin, por ka gjasa që lufta të lodhë palët, sigurisht më shumë mazhorancën sesa opozitën.
Sipas rregullores së Kuvendit, procedura kushtetuese e nisjes së legjislaturës së re ka këtë rend dite: 1. Deputeti më i vjetër drejton seancën. 2. Ngrihet Sekretaria e Kuvendit, e cila bën verifikimin e mandateve. Këto procedura kërkojnë një ditë.
Ditën tjetër nis verifikimi mandateve. Kjo mund të hajë debate të forta dhe të shtyhet për një ditë tjetër Kuvendit.
Pika 3 e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Këtu pastaj do të ngrihet një procedurë e tërë që mund të provokojë debate.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka parashikuar se do të nisë protesta të mëdha për të penguar, apo dhe rrëzuar zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryetar Kuvendi.
Në fakt, edhe Rama duhet të ketë menduar kundërgoditja por hapësira e tij është më e vogël pasi është në pushtet dhe si i tillë mund të goditet me imazh që në fillim. /tesheshi.com/