Kuvendi është mbledhur pasdite për të vijuar seancën e nisur prej orës 10:00, ndërsa deputetët e PD kanë qëndruar në foltore, ashtu si dhe gjatë paradites.
Por kjo situatë nuk e ka penguar kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, që të hapë seancën e cila zgjati më pak se 10 minuta, ndërsa deputetët e PS miratuan ngritjen e disa nënkomisioneve parlamentare.
Opozita kërkonte gjatë ditës së sotme ndërprerjen e seancës së sotme dhe mbledhjen e konferencës së kryetarëve për të nisur debatin për komisionin e reformës zgjedhore.
Por kërkesa e tyre u rrëzua çka solli revoltën e Bashës duke bllokuar foltoren, veprim që solli perjashtimin e tij.
I pranishëm në sallë ne mbledhjen e pasdites ishte edhe lideri demokrat Lulzim Basha, i rrethuar nga deputetët e grupit të PD-së. Një shkelje kjo, e vendimit te Gramoz Ruçit që sot e përjashtoi për bllokimin e foltores.
Në përfundim të seancës, Ruçi i bëri një “paralajmërim” tjetër Bashës.
“Meqë je deputet i ri, nuk po ushtroj kompetencën time si kryeparlamentar për të thirrur Byronë dhe për të marrë masa akoma më të rënda për situatën e sotme”, tha Ruçi. /tesheshi.com/