Betimi në Presidencë i anëtarit të 5-të të Gjykatës Kushtetuese, ku duhet dhe një, pra 6, për ta bërë funksionale, ka entuziazumar Uashingtonin dhe Brukselin.
Siç dihet, dy polet investuese të Reformës në Drejtësi, kanë vënë si afat 31 dhjetorin për të mbyllur këtë sagë trevjeçare, pra formimin e Kushtetueses, e cila u shkri nga procesi i vettingut, krejt paparashikueshëm.
Sipas ambasadorëve përkatës, çasti i shumëpritur po afron.
“Sot Altin Binaj është betuar nga Presidenti Ilir Meta, anëtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese. Ne e përgëzojmë dhe i urojmë punë të mbarë. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës tani është brenda mundësive, falë përpjekjeve të kombinuara të të gjitha institucioneve.
Tani i takon KED-së të finalizojë pa vonesë listat për Anëtarët e tjerë që do të emërohen nga Presidenti. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës është një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për fillimin e tryezës së parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE”, shkruan Soreca.
“Urime Altin Binaj për betimin e tij si gjyqtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese. Faleminderit Presidentit Ilir Meta për mundësimin e këtij zhvillimi pozitiv.
Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale deri më 31 dhjetor është brenda mundësive, falë veprimit dhe bashkëpunimit urgjent nga Presidenca, KED dhe Parlamentit”, shkruan Kim. /tesheshi.com/