Gjykata Kushtuetuese publikoi arsyetimin se përse dha verdiktin kundër shkarkimit të Metës si president për çdo rast të diskutueshëm prej tij.
Sipas Kushtetueses, ai vërtet nuk ka vepruar drejt, por kjo nuk ka sjellë pasoja.
Fjala vjen, ja ç’thuhet në rastin e një sherri të Metës me policë bashkiakë në zyrat e FRD-së, ku kreu i shtetit u shfaq i shpërfytyruar, deri në aludime se ka qenë i dehur.
“Gjykata vëren fillimisht se format e ndërhyrjes së Presidentit në konfliktin e lindur mes FRD-së dhe bashkisë së Tiranës, të shprehura me veprime konkrete (ndërhyrja drejtpërdrejt në selinë e saj dhe shkresat drejtuar disa institucioneve), si dhe nëpërmjet deklaratave publike, janë shoqëruar nga sjellje dhe gjuhë e papërshtatshme për lartësinë e detyrës si Kryetar i Shtetit.
Ndonëse Gjykata nuk pajtohet me formulimin e akuzave dhe etiketimeve fyese ndaj përfaqësuesve të autoriteteve publike në lidhje me veprimtarinë e kryer prej tyre, ajo thekson se kritikat e shprehura publikisht ose vlerësimet negative ndaj veprimtarisë së institucioneve shtetërore nuk mund të konsiderohen, në vetvete, si diskreditim i autoritetit shtetëror.
Në këto lloj situatash është e nevojshme të vlerësohen bashkarisht përmbajtja e kritikave, rrethanat në të cilat ato janë bërë publike dhe synimi që është kërkuar të arrihet përmes tyre”, thuhet në vendim.
Kjo frymë shpjeguese apo justifikuese është ndjekur dhe për të gjitha rastet e tjera, edhe për thirrjen “ngrehuni dhe bjeruni, vdekje tradhtarëve, t`i mprehin sfurqet”.
Kushtetuesja arsyeton gjykata arsyeton se nuk është provuar ndonjë qëllim i Metës për ndërhyrje në sigurinë publike dhe se thirrje të tilla nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Thënë ndryshe, duke sjellë një krahasimore, me Gjykatën Kushtetuese si polici rrugore dhe Metën si drejtues automjeti, ky i fundit është kapur me shmë shkelje, që nga hyrja në semafor me të kuqe, shpejtësia tej normave, ecja në gjendje të dehur, ecja në krah të kundërt, parakalimi i gabuar etj., por fakti që nuk ka shkaktuar dëme apo sjellë pasoja, e bën atë të pandëshkueshëm.
Në këtë rast, Kushtetuesja ka përdorur më shumë argumenta sociale se sa juridike.
Kjo do të thotë që asnjë shkelës rrugor të mos pranojë ndëshkim nga policia me arsyetimin se nuk ka sjellë pasoja.
Pra, nëse kalon me të kuqe në semafor dhe nuk shkel njeri, je në rregull sipas këtij standarti gjykues që sjell Kushtetuesja e re shqiptare, ajo e dalë nga Reforma në Drejtësi. /tesheshi.com/