Policia finlandeze tha se dyshon se cisterna Eagle S, e cila erdhi nga Rusia dhe besohet të jetë pjesë e një “flote fantazmë“, ishte përfshirë në “sabotimin” e një kablli energjie nënujor që lidh Finlandën me Estoninë.
Anija me flamur nga Ishujt Kuk po transportonte benzinë pa plumb, të cilën e kishte ngarkuar nga një port rus, tha në një konferencë shtypi drejtori i përgjithshëm i Doganave finlandeze, Sami Raksit.
Autoritetet e policisë po hetojnë “sabotim serioz”, shtoi Robin Lardot, nga Agjencia Kombëtare e Hetimit. “Ne kemi arsye të besojmë se kjo anije ka shkaktuar dëme në Estlink 2 dhe kabllo të tjera,” tha policia.
Policia dhe rojet kufitare hipën në anije dhe zbuluan se spiranca e saj nuk ishte ngritur. Kur ekuipazhit iu kërkua të ngrinte spiranca, ata panë se ato mungonin.
Autoritetet finlandeze e kanë marrë nën kontroll anijen dhe po e zhvendosin në ujërat territoriale finlandeze. Hetimet fokusohen tek vetë anija, kompania që e menaxhon dhe ekuipazhi i saj.
Sipas ministrisë së financave të Estonisë, përveç kabllos së rrymës, janë dëmtuar edhe tre kabllo të telekomunikacionit nënujor. Dy prej tyre i përkasin kompanisë Elisa dhe i treti i Citic Telecom. Ministria e Jashtme e vendit theksoi se dëmtimi i infrastrukturës nënujore “duhet të konsiderohet si sulme kundër infrastrukturës sonë kritike”. Ajo gjithashtu vuri në dukje se “flota fantazmë” jo vetëm që shkel sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, por gjithashtu përbën një kërcënim për sigurinë në Detin Baltik dhe “ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë”.
Presidenti finlandez Alexander Stubb gjithashtu bëri thirrje që “kërcënimet” e paraqitura nga flota fantazmë ruse të “eliminohen”. “Po monitorojmë nga afër situatën” në bashkëpunim me kryeministrin Petri Orpo, shtoi ai në një postim në platformën X. /tesheshi.com/