Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti, ka zbuluar të gjithë politikanët dashamirë që e kanë uruar për rezultatin e dëshmuar në zgjedhje, duke publikuar edhe letrat e tyre.
Mesazhi i tij është si më poshtë:
“Gjatë dy javëve të fundit pranova shumë telefonata, mesazhe e letra urimi për rezultatin dhe suksesin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e 6 tetorit. Nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev, Kryetari i Kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, z. Željko Komšić, Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, z. Genc Nimanbegu, ish Presidenti i Kroacisë, z. Stjepan Mesić, e shumë të tjerë. Me bashkëpunim të ngushtë me partnerët fqinjë e miq tonë, do të jemi një hap përpara zhvillimit e integrimit tonë. U jam mirënjohës të gjithëve për urimet, përgëzimet dhe gatishmërinë e shprehur për mbështetje.”
Ajo që vërehet është mungesa e letrës së urimit nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Kjo mund të shpjegohet vetëm nëse konsiderohet fakti se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka dalë me rezultate përfundimtare nga numërimi i votave të diasporës dhe ato me kusht. Sidoqoftë, nga informatat e përditësuara, votat e fundit vetëm sa po e thellojnë fitoren e LVV-së. /tesheshi.com/