Opozita e përfundoi pas rreth 5 orësh protestën e saj para kryeministrisë, duke shënuar më të rrallën të ndodhur në vitet e pluralizmit të organizuar prej saj, më saktë PD-së.
Edhe pse me një masivitet për t’u patur zili, ajo u ngërthye në një ushtrim dhune gati naive të një turme të kufizuar, mu te dera e godinës qeveritare. Aty në fillim u shklye skela e vendosur dy ditë më parë dhe më pas, në më mënyrë rutinore, gati njëherë në 30 minuta turma turrej duke goditur derën e thyer xhamat, për t’u pasuar nga hedhja e gazit lotsjellës dhe e një uji lëshuar nga pasderës, në një skenë gati komike. Kjo vazhdoi përgjatë 5 orëve, shoqëruar vetëm me disa deklarime liderësh, pasi protesta nuk pati dhe fjalime klasike.
E gjitha skena ngjau si një kurth për ta banalizuar atë, me një kordon policor i cili u ça dhe i la njerëzit e irrituar që të godisnin thjesht xhamat e portës ballore të qeverisë.
Pas përfundimit, kreu demokart Basha premtoi rikthim të enjten me një protestë në ngjashme.
“Sot çdo kush e ka parë forcën e qytetarëve të bashkuar, të vendosur për të mos pranuar më një kryeministër dhe qeveri të kapur në vjedhje flagrante. Dua që në emër të opozitës t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë qytetarëve që i dhanë zë revoltës që po e dëgjon gjithë bota. Le të zotohemi sot se kjo kryengritje do vazhdojë deri në përmbysjen e Ramës. Të enjten në orën 10:00 vijon protesta”, tha Basha. /tesheshi.com/