Sot familjes Bazhdari nuk i është dashur të lirojë shtëpinë për ca orë deri në përfundim të vizitave ngushëlluese për vdekjen e Arben Brocit. Tashmë, kjo familje që për 3 vjet u detyrua të jetojë me qera tek shtëpia e të ndjerit Broci, ka shtëpinë e vet.
Kjo është ndër historitë më të veçanta të viteve të fundit në Shkodër. Pasi familjes Bazhdari iu dogj shtëpia, u detyruan të kërkojnë një me qera dhe fati e deshi që të ishte pikërisht ajo familjes Broci, ku do të strehoheshin përkohësisht. Lija, e ëma e Arbenit, do zhvendosej në Tiranë te i biri, Artani, kështu që i interesonte ta jepte me qera.
Të dyja familjet bien dakort, por vetëm me një kusht: që çdo 2 prill, Bazhdarajt duhet ta lironin paradite shtëpinë, pasi do kishte vizita përkujtimore. Dhe kështu ka ndodhur çdo 2 prill, sa ata kanë ndenjur aty me qera.
Ndërsa këtë vit, jo. Bazhdarajt kanë tashmë shtëpinë e tyre të re; dhe Ketit, vajzës që ka marrë kurajon t`ia heq PD-së Shkodrën si bastion të saj, nuk i është dashur që të dalë nga shtëpia për shkak të pranisë së kreut të opozitës Lulzim Basha aty. /tesheshi.com/