7 persona, mes tyre një efektiv i policisë së shtetit u arrestuan, pasi kultivonin kanabis sativa në zonat e Kurbinit, me qëllim trafikimin e tyre jashtë territorit shqiptar. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, grupi kriminal kishte bashkëpunimin e punonjësit të policisë, i cili kishte për detyrë të njoftonte nëse zhvilloheshin operacione policore anti-kanabis në atë zonë.
Në pranga kanë rënë Luftar Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra, Zan Kasmi, i cili ishte punonjës policie, Sami Balloku dhe Aldo Xhaferri.
Mësohet se Lefter (Luftetar) Nelaj kishte mbjellë dhe kultivonte parcela me bimë narkotike, në zonën e Malësisë së Kurbinit. Rezulton gjithashtu se ai është përfshirë në kultivimin e kësaj bime edhe në ambjente të mbyllura, ku sigurohet kultivimi në kushte artificiale (ndriçim dhe ngrohje me llampa).
Prokuroria kishte nisur hetimin që në korrik të 2015-ës, në bazë të materialeve të përcjella nga ana e Prokurorisë së Kurbinit. Në bazë të veprimeve proceduriale, gjykata vendosi për të arrestuarit masën e sigurisë “arrest me burg”./tesheshi.com