Angela Merkel ka vështirësi në ndërtimin e koalicioneve, në të njëjtën kohë që ndikimi i partive të ekstremeve në Gjermani po transformojnë peisazhin politik.
Danyal Bayaz ka përjetuar shumë gjëra gjatë javëve të tij të para si deputet, por mërzia nuk është njëra prej tyre. Dy muaj, pasi hyri në parlamentin e Gjermanisë si deputet i partisë së Gjelbër, 34 vjeçari nga Heidelberg ka parë nga afër sesi politikanët e krahut të djathtë përgëzuan njëri-tjetrin për shmangien e euroskeptikëve, majtistët akuzuan të djathtën ekstreme për racizëm dhe sesi një ish-aktivist për klimën me flokë të lyera formon aleanca të panatyrshme me kristian-demokratët e veshur me kostume të qepura posaçërisht për ta.
Javën e kaluar, Bayaz përjetoi dështimin dramatik të bisedimeve që do të kishin katapultuar kolegët e tij të Gjelbër në qeveri dhe tashmë ai përballet me mundësinë e rikonkurrimit për vendin e tij nëse mbahen zgjedhje të reja pranverën e ardhshme. “Tani unë nuk jam më as i sigurtë nëse ia vlen të marrësh abonim”, thotë ai ndërsa porosit një kapuçino në kantinën e Bundestagut.
Për vite me radhë, politika gjermane është tallur po aq sa dhe admiruar se ishte shumë e parashikueshme deri në pikën e të qënit e mërzitshme. Vetëm së fundmi, mungesa e dramës brenda dhomës rrethore të seancave plenare të Rajhshtagut të rindërtuar, solli apele për një qasje më konfrontuese më në stilin e Uestministerit. Por ndërsa traditat e vjetra gjeopolitike janë thërrmuar në 18 muajt e fundit, stili konsensual dhe i pakritikueshëm i Bundestagut në politikbërje ka fituar admirues të rinj.
Dështimi i bisedimeve për formimin e koalicionit të pas zgjedhjeve e ka ekspozuar autoritetin e zbehur të Angela Merkelit. Shumë tashmë kanë nisur të mendojnë nëse ndasitë e sjella nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara me Brexit dhe zgjedhjen e Trump, kanë zbritur edhe në ekonominë më të madhe të Europës.
Me partnerët e fundit të koalicionit të Merkelit, social-demokratët dhe Demokratët e Rinj që kërkojnë më shumë opozitën sesa poste qeveritare dhe me një Alternativë për Gjermaninë e pozicionuar tashmë në ultra-opozitë, që shpreson të marrë një nxitje të mëtejshme nga ngërçi politik, komentatorët në Gjermani kanë nisur të evokojnë ditët më të errëta të republikës së Vajmarit, kur qeveri jetëshkurtra të pakicës drejtonin me dekrete emergjencash.
“Si në Vajmar, republika Federale tashmë është një sistem shumëpartiak në të cilin partitë e ekstremit kanë nisur të paralizojnë funksionimin e demokracisë parlamentare”, shkroi Stephen Szabo, ekspert në marrëdhëniet amerikano-gjermane.
“Fiksimi i Gjermanisë me stabilitetin shihej gjerësisht si rezultat i reformave që synonin shmangien e gabimeve të republikës së Vajmarit”, thotë Anthony Glees, historian në universitetin e Bakingamit. “Pavarësisht sistemit proporcional të votimit, pragu prej 5 për qind për partitë më të vogla garantonte që Gjermania e pas luftës të ishte një shtet dy partiak për dekada, ku pushteti do të qëndronte i sigurtë në qendër”.
Me sondazhet për zgjedhjet e reja që parashikojnë rënie të mëtejshme si për kristiandemokratët e Merkelit ashtu dhe për social-demokratët, poshtë 30 përqindëshit dhe rritje të mbështetjes për Demokratët e Lirë, të Gjelbrit, leftistët dhe Alternativën për Gjermaninë, thotë Glees, “ai sistem tashmë po e kafshon Gjermaninë nga këmbët”.
Shumë historianë paralajmërojnë me krahasime të dizenjuara me nxitim, sidoqoftë. “Çfarë është gabim në Gjermani që po bëhet gjithnjë e më shumë demokraci multipartiake si në Holandë apo Skandinavi?”, pyet Andreas Schulz, kërkues për historinë e parlamentarizmit gjerman.
Merkel ka deklaruar se është skeptike për krijimin e një qeverie të pakicës, vetëm me të vetët ose me partinë e Gjelbër, që do të kishte formuar mazhoranca me partitë e tjera votim pas votimi. Por Shulc thotë se përvoja traumatike e dështimit të qeverive të pakicës dhe ngjitja në pushtet e Adolf Hitlerit e errësoi faktin që qeveritë e pakicës kanë funksionuar më së miri në vende të tjera të Europës dhe madje, edhe ne nivel shtetesh në Gjermani. Ndërsa qendra e majtë socialdemokrate po ndërgjegjësohet për koston e zgjedhjeve të reja dhe mund të lejojë një qeveri pakice, është e mundshme që Merkel mund të mos bjerë dakord.
“Mënyra sesi Bundestagu ia ka dalë të integrojë partinë e Gjelbër në vitet 1980 dhe më pas partinë e Majtë në nisje të mijëvjeçarit të ri tregon se sistemi ynë parlamentar mund të përshtatet me parti të reja”, tha Shulc.
“Ne ndonjëherë harrojmë se republika e Vajmarit kishte vetëm 10 vjet kohë për t’u maturuar dhe zhvilluar”, thotë Thomas Mergel, historian në universitetin e Humboltit. Madje, edhe në periudhën e shkurtër të ekzistencës së saj, ka treguar se një sistem parlamentar mund të mësojë edhe partinë më intrasigjente politike me vlerat e formimit të koalicioneve”, argumenton ai.
Në vitet 1920 dhe 1930, parlamentarët nisën të humbasin aftësinë për të gjetur kompromise pasi Depresioni i Madh shkaktoi trazira në ekonominë gjermane. Parlamentarë të rinj si Bayaz janë të shqetësuar se qendra e re populiste e Gjermanisë mund të jetë më e shpejtë për të shfrytëzuar peisazhin e polarizuar politik sesa partitë e traditës.
Javën e kaluar, deputetët e Alternativës për Gjermaninë, partisë kundër emigracionit, zunë vendet e tyre në parlament, duke mbajtur kordele të verdha në jakat e xhaketave, në atë që partia e përshkroi si gjest solidariteti me forcat e armatosura të Gjermanisë. Deputetët e AfD-së pretenduan në rrjetet sociale se “partitë e vjetra” kishin lënë bosh vendet në parlament gjatë një debati për Ushtrinë – një pretendim që më pas u vu në dyshim.
Në një tjetër debat, konservatorët, liberalët, ambjentalistët dhe leftistët bashkuan forcat për të kundërshtur sugjerimin e AfD-së se refugjatët sirianë duhet të ktheheshin pas në vendin e tyre përderisa ISIS “pothuajse ishte mposhtur” dhe ishte përmirësuar siguria në vend. Mocioni u mposht fuqishëm, por të sapombërritur e së djathtës kishin gjetur skenën e tyre.
Bayaz është pavarësisht këtyre, optimist se një Bundestag më i gjallëruar mund të ketë anën e vet të mirë. “Ka një pluralizëm të ri në dhomën e debateve”, thotë ai. “Partitë nuk e kanë aq të lehtë të manovrojnë sa e kishin më parë”.
Djali i një nëne gjermane dhe një babai turk, me doktoraturë në tregjet financiare, Bayaz thotë se do të kishte shijuar një koalicion konservator-liberal-ambjentalist “Xhamajka” që do të ndërpriste siguritë e vjetra politike. Me xhaketën e tij blu dhe flokët e shkurtër, ai që në javët e para është ngatërruar nga shtypi sikur i përket Demokratëve të Lirë dhe ka tërhequr vështrime konfuze nga populistët e së djathtës. Nuk është e pamundur që të mendohet se të sapoardhurit si Bayaz mund të përfundojnë në ndërtimin e një qeverie gjermane të pakicës, në fund të fundit.
Një nga pasojat e republikës së Vajmarit është se presidenti nuk mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme pa votuar më parë në parlament një kancelar. Sugjerimi është se kancelarja Merkel e cila nuk ka arritur një qeveri koalicioni, do të dështojë të fitojë mazhorancën në një votim të tillë. Deputetët e rinj që sapo kanë nisur të shijojnë jetën e tyre në politikë, nga cilado parti qofshin, mund të kenë një ide të ndryshme nga kjo.
Vitet e Vajmarit
Lindur mes kaosit që pasoi luftën e Parë Botërore, republika e Vajmarit zgjati, zyrtarisht, nga viti 1919 deri në vitin 1933, dhe pati vështirësi në menaxhimin e ekstremizmit, hiperinflacionit dhe ndjesisë së pakënaqësisë për trajtimin e Gjermanisë nga fitimtarët e luftës. Në mënyrë që të reduktoheshin konflitet politike, u zbatua sistemi proporcional i përfaqësimit që solli një sërë qeverish që e patën të vështirë të qeverisnin. Dhuna politike ishte e përhapur. Deri në vitin 1923, pati 376 vrasje politike. Huatë e Shteteve të Bashkuara ndihmuan rimëkëmbjen gjatë viteve 1924-1929, por kolapsi i Wall Street bëri që të kërkohej pagesa e huave dhe të niste një krizë e re ekonomike, që rriti papunësinë dhe pakënaqësinë ndaj partive të traditës. Në janar 1933 presidenti Paul von Hindenburg caktoi liderin e partisë Naziste Adolf Hitler si kancelar. Atë vit, pas zjarrvënies së Rajshtagut, Hitleri mori pushtet absolut dhe Gjermania u shndërrua në diktaturë fashiste.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/