Numri i të huajve të interesuar që ta mësojnë gjuhën shqipe dhe të studiojnë në fushat e albanologjisë është në rritje, ndërkohë që interesimi i të rinjve në Kosovë për të studiuar gjuhën ose letërsinë shqipe është duke rënë në vazhdimësi, thonë zyrtarë të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Interesimin e të huajve e dëshmon numri i 120 pjesëmarrësve në kurset e gjuhës shqipe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, edicioni i 41-t i të cilit është duke u mbajtur aktualisht në Prishtinë, thotë Bardh Rugova, drejtor i seminarit dhe udhëheqës i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në UP.
Por, numri prej 20 konkurrentëve, të paraqitur në afatin e parë të pranimit të studentëve në Degën e Gjuhës Shqipe në këtë fakultet, si dhe numri prej gjashtë konkurrentësh të paraqitur në degën e Letërsisë Shqipe, është paralajmërim i mungesës së interesimit për të studiuar këto dy fusha të albanologjisë, thotë Lindita Sejdiu –Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë.
Rënia e numrit të studentëve në këto dy departamente është evidentuar vit pas viti.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) thotë se është e gatshme të mbështesë përpjekjet e departamenteve të caktuara për tërheqjen e studentëve të rinj.
Gjuha shqipe, “pasuri e madhe”
Leo Sokoliq është nga kryeqyteti slloven, Lubjana. Ai ka ardhur për herë të parë në Kosovë, për të marrë pjesë në kurset e gjuhës shqipe që organizohen në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ai thotë se edhe më herët ka ndjekur kurset e gjuhës shqipe në Lubjanë, por seminari në Prishtinë, sipas tij, i jep mundësinë e komunikimit të përditshëm në shqip.
“Gjuha shqipe është shumë antike, shumë e vjetër. Unë jam shumë i kënaqur që mund të mësoj, që mund të jem këtu dhe që mund të kuptoj pak, të flas me njerëz. Mendoj se [sërish] do të kthehem këtu, në seminar”, thotë Sokoliq për Radion Evropa e Lirë.
Anja Zhivkoviq është nga Leskovci i Serbisë. Ajo ka përfunduar studimet për gjuhën shqipe në Beograd, ku edhe ka hapur kurset për mësimin e kësaj gjuhe. Siç thotë ajo, në seminarin në Prishtinë, është për herë të pestë dhe vjen për të përditësuar dijen e saj për gjuhën shqipe.
“Më pëlqen, sepse është gjuhë krejt ndryshe nga të gjitha gjuhët që kam mësuar, sepse i flas disa. Është vërtetë një gjuhë shumë interesante për t’u hulumtuar. Është një pasuri shumë e madhe që ju e keni këtë gjuhë, di dhe dialektet dhe nëndialektet që janë më interesante se sa vet gjuha letrare”, thotë Zhivkoviq në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Interesimi i të huajve për shqipen, më i madh sesa i vendësve
Bardh Rugova, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, thotë se në edicionin e sivjetmë janë pranuar 120 seminaristë dhe po aq nuk kanë arritur të vijnë për shkak të mundësive të kufizuara që ka seminari. Sipas tij, interesimi i të huajve për ta mësuar shqipen është shumë i madh.
“Ka interesime nga vendet e rajonit dhe ka në departamentet e ndryshme[në universitetet e huaj] në të cilat mësohet shqipja. Problematike është se ne nuk jemi përgjigjur, si shoqëri, ndaj këtyre kërkesave, për të dërguar mësimdhënës në ato katedra. Vetëm gjatë viteve të fundit janë hapur katedra të shqipes në Universitetin e Pragës, në Universitetin e Budapestit dhe në Universitetin e Poznanit. Dhe asnjë prej këtyre qendrave, nuk ka ndonjë mësimdhënës nga Kosova”, thotë Bardh Rugova.
Megjithatë, siç thotë ai, interesimi i studentëve vendas për të studiuar gjuhën ose letërsinë shqipe është në rënie për vite me radhë.
Sipas kritereve të caktuara nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, numri i studentëve që mund të pranojnë Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe ai i Letërsisë Shqipe është 60.
“Në qoftë se do të kemi një trend të tillë, në rënie, atëherë mund të ketë vështirësi, mund të ketë probleme për ndonjërën prej katedrave [departamenteve]”, thotë Bardh Rugova, drejtues i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë.
Një nga shkaqet e numrit të vogël të studentëve në këto dy departamente, sipas tij, është se kualifikimi aty nuk u siguron mundësinë e punësimit si mësimdhënës në nivelin e arsimit fillor ose të mesëm.
Kualifikimi për mësimdhënës arrihet në Fakultetin e Edukimit dhe sipas Bardh Rugovës, një numër i studentëve orientohen në këtë fakultet për të studiuar lëmin e njëjtë, ndonëse me program më të kufizuar.
Aktualisht, sipas tij, në Kosovë ka rreth 2.000 arsimtarë të gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat fillore dhe rreth 600 profesorë të kësaj lënde për shkollat e mesme.
Në këtë kontekst, ai thotë se kuadrot që dalin nga Universiteti i Prishtinës, në tërësi, janë më shumë sesa ka nevojë tregu i punës.
Strategji të reja për ruajtjen e departamenteve?
Lindita Sejdiu-Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, thotë e studimet në Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe në atë të Letërsisë Shqipe, megjithatë kualifikojë profile profesionale për të cilat tregu i punësimit ka nevojë.
“Nuk ka nevojë të bëhen vetëm mësimdhënës. Mund të bëhesh përkthyes në shqip, nëse e di edhe gjuhë të huaja – pra përkthyes i letërsisë nga gjuhët e huaja në shqip. Mund të punojnë nëpër arkiva. Mendoj që institucionet kanë nevojë më shumë se kurrë për lektorë. Sidomos nëpër media dhe nëpër institucione shtetërore kanë nevojë për lekturimin e dokumentacionit zyrtar”, thotë Lindita Sejdiu-Rugova.
Ajo thotë se përgjithësisht ekziston një ulje e trendit të të interesuarve për studime në departamentet, siç i cilëson ajo, “të vogla”, siç janë edhe të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.
Por, siç thekson Sejdiu-Rugova, është e papranueshme që këto dy departamente të studimeve të fushës së albanologjisë, të sillen buzë mbylljes.
“Unë nuk dua dhe nuk mundem ta besoj këtë gjë, ndonëse ka rrezik gjithmonë për një gjë të tillë, për çdo katedër. Nuk mendoj që shteti ynë ia lejon vetes që të thotë ‘po mbyllet albanologjia’. Kjo nuk guxon të ndodhë”, thotë dekania e Fakultetit të Filologjisë.
Ajo shpreh mendimin se duhet gjetur mënyra dhe strategji që t’i bëjnë më tërheqëse Departamentet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Sipas saj, Universiteti i Prishtinës, tashmë ka nisur të japë bursa për studentë të jashtëm, të cilët dëshirojnë të studiojnë në këtë universitet.
Lindita Sejdiu-Rugova konsideron se një formë e tillë stimulimi duhet të bëhet edhe për tërheqjen e studentëve vendas në departamentet sikurse ai i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe.
“Ne duhet të mendojmë për strategji dhe mënyra tjera. Duhet të mendojmë ndoshta për shkrirje e të dyjave [departamenteve] gjuhës dhe letërsisë bashkë, ndoshta të krijojmë programe ndër-disiplinare. Ka ide, por mendoj se ato janë resurset apo idetë e fundit. Unë mendoj se do të kemi prapë studentë”, thotë Lindita Sejdiu-Rugova.
Ajo thekson se shqetësimet lidhur me interesimin e vogël për studime në Departamentin e Gjuhës dhe në atë të Letërsisë Shqipe i ka shprehur edhe në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, por edhe në dikasterin qeveritar për arsim.
Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thekson se është në dijeni lidhur me “numrin e studentëve të regjistruar në afatin e parë në Universitetin e Prishtinës” dhe se rastet sikurse Departamenti i Gjuhës, por edhe ai i Letërsisë Shqipe “janë shumë me interes dhe duhet t’u kushtohet rëndësi e veçantë”.
Kjo ministri, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se bashkë me Fakultetin e Filologjisë dhe Universitetin e Prishtinës, është në pritje të afatit të dytë të regjistrimit për të parë nëse do të ketë rritje të numrit të studentëve të interesuar.
“Njëkohësisht, jemi duke shikuar mundësitë për politika afirmative që sigurojnë numër të nevojshëm të studentëve por edhe cilësi në universitet”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Nga kjo ministri theksuan se Universiteti i Prishtinës ka buxhet të mjaftueshëm “që të shqyrtojë këto programe të veçanta, por nuk do të mungojë edhe mbështetja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”. /REL/