Duke dëshmuar para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Energji dhe Tregti, Dr. Anthony Fauci, virologu kryesor amerikan, tha që qeveria federale po përpiqej të zgjeronte testet për virusin e koronës dhe jo të zvogëlonte numrin e tyre, siç sugjeroi Presidenti Donald Trump këto ditë.
Dr. Fauci u pyet drejtpërdrejt se çfarë mendonte për komentet e fundit të presidentit.
“Krejt të kundërtën: ne duhet të kemi më shumë testime, jo më pak,” tha eksperti i sëmundjeve infektive, i cili luajti një rol kryesor në administratën Trump në përgjigje të pandemisë.
Ai gjithashtu tha se, me aq sa ai e di, “askush nuk ka thënë e kurrë që duhet të ngadalësohen testimet”. “Eshtë fakt. Eshtë gjithashtu një fakt që duhet të kemi më shumë testime.”
Një thikë me dy tehe
Komentet e mjekut kryesor amerikan janë në kundërshtim të plotë me deklaratat e Trumpit nga e shtuna, kur ai në fjalimin e tij drejtuar mbështetësve të tij në një tubimin në Tulsa, Oklahoma, tha se dëshironte të ngadalësonte testet për virusin koronar.
“Testimi është një thikë me dy tehe,” tha Trump me këtë rast, duke shtuar se 25 milion testime janë bërë në Shtetet e Bashkuara.
“Kur bëni testimin në një masë të tillë, do të gjeni më shumë raste të infeksionit. Kështu që unë u thashë njerëzve të mi që të ngadalësojnë testimin”, tha Trump.
Pas këtij komenti, disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë që Trump bënte shaka, por Presidenti të hënën mohoi që të ishte shaka, njoftojnë media amerikane.
Vaksina, në fillim të vitit 2021
Gjatë dëshmisë, doktor Fauci tha se kërcënimi i paraqitur nga virusi i koronës aktualisht është një “qese e përzier” sepse Shtetet e Bashkuara janë goditur fort nga një infeksion që ka shkaktuar më shumë se 120,000 vdekje dhe rreth 2.5 milion raste.
“Në disa zona të Shteteve të Bashkuara, ka pasur një rritje shqetësuese të infeksioneve,” tha ai.
Anthony Fauci gjithashtu tha që Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA-së, në bashkëpunim me partnerë publikë dhe privatë, po bën përpjekje të mëdha për zhvillimin e vaksinës. Ai theksoi se një vaksinë po hyn në fazën e tretë të testimit dhe theksoi faktin që vaksina e koronavirusit mund të ishte gati në fillim të vitit të ardhshëm.
“Unë ende mendoj se kemi një shans të arsyeshëm për të vaksinuar në fillim të vitit 2021. Unë mendoj se do ta kemi deri atëherë,” tha Fauci. /tesheshi.com/