Nga Bekim Laci
Edhe pse realiteti të ofron skena të përçundshme, jeta në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë po i kthehet normalitetit; si shprehje e vitalitetit të lindur njerëzor për t`u pajtuar me një realitet të caktuar, e më pas për ta ndryshuar atë, me gjithë forcat.
Shitoret janë hapur, fëmijët i janë rikthyer lojës me naivitetin e tyre, edhe pse rreth e rrotull vijon të dalë tymi i dy ditëve betejë. Nuk është e tepruar të thuhet se Kumanovës i ka gjet ajo që zakonisht u ngjet palestinezëve kur izraelitët i kap tërbimi dhe vrasin e shkrumbojnë ç`të gjejnë para. Pra, pas Palestinës, Kumanova është e dyta në botë që vuan të njëjtin sidrom çmendurie.
Tashmë, “Lagja e Trimave” është shndërruar dhe në vend peligrinazhi: ajo po vizitohet nga shumë kureshtarë për të parë nga afër vendbetejën, por më shumë për të ngushëlluar ata që humbën shtëpitë, pasurinë e tyre. Nuk ka vend për cinizëm, por nuk do ishte keq që të ftoheshin dhe grupe turistësh të huaj që të shihnin nga afër se çdo të thotë të të vijë andej nga nuk e pret.
Kthimin në normalitet, ashtu siç cicërimat e zogjve paralajmërojnë ardhjen e pranverës, e ndjellin dhe ekipet e EVN-së, të cilët kanë filluar riparimin e rrjetit elektrik, ndërsa pritet që dhe ndërmarja komunale të vijë e pastrojë inertet prej shtëpive e shkatërruara, që hasen kudo nëpër rrugë. Punëtorët e kësaj ndërmarjeje thonë se ka shumë punë.
Dhe bashkë me “pse”-të e shumta që mundojnë banorët mbi arsyet e kësaj kasaphaneje, pritet t`u shtohen dhe “sa”-të dhe “kur”-ët e kompensimit të premtuar prej qeverisë.
Atyre ka nisur t`u vijë ndihma e parë në ushqim, batanije dhe mjete sanitare, ku vetëm të martën u shkarkuan dy kamionë, por halli më i madh është pikërisht ringritja e shtëpive nga e para.
Valon Sakipi, nga shoqata Vizion-M, na tha se në bashkëpunim me shoqatën bamirëse “Merhamet”, kanë sjellur 40 pako, në të cilat ka ushqim të bollshëm disaditor për një familje, ndërsa aty ishte edhe Kryqi i Kuq që kishte sjellë ushqim, batanije dhe paisje sanitare.
Metush Jashari e ka shtëpinë të dëmtuar në atë nivel që e bën të pabanueshme, por na tha se kishte ardhur sepse një ekip i qeverisë ka dalë në terren për të bërë vlersimin: “Jemi te disa miq për momentin, unë dhe 5 anëtarë tjerë të familjes. Kemi ca para të kursyera sa për ushqim, e për shtëpinë se di si do t`ja bëj”, rrëfehet për problemin e vet Metushi.
Samet Fejzullahu, përveç dertit të shtëpisë ka edhe telashe tjera. Vëllai i tij, Fadili, si dhe kushëriri, Irfan Lutfiu, mbahen në polici nën pretekstin se kanë qenë pjesë e grupit të armatosur. Ai akuzon shtetin se ky ka qenë një skenar i përgatitur për qëllime të cilat vetëm ata i dijnë, ndërsa mohon të kenë qenë të përfshirë në grupin e përfolur.
“Unë bashkë me tetë anëtarë tjerë të familjes jemi mbajtur në polici 24 orë ku kemi qenë të rrahur, ndërsa për 7 orë rresht jam marë në pyetje për grupin, të tregojmë se kush janë njerëzit”, thotë Fejzullahu, dhe apelon te subjektet politike shqiptare duhet të ushtrojnë trysni për hetime korrekte, pasi nuk besojnë në sistemin gjygjësor të Maqedonisë.
Liman Lutfiu, është një tjetër banor i lagjes të cilit policia ia kish marrë një anëtarë të familjes, me të njëjtin pretekst. Në oborin e tij takuam njerëz që interesoheshin për fatin e djalit të tij, Irfanit, për të cilin thonë se është marrë gjatë ikjes nga të shtënat.
“Kur dëgjuam të shtënat herët në mëngjes, unë dhe gruaja u strehuam në bodrum, ndërsa djali që flinte në dhomën tjetër ka tentuar të ikë nga dera kryesore, ku e ka ndaluar policia. Tjetër përgjigje logjike nuk kam”, thotë Limani, duke mohuar kategorikisht përfshirjen e djalit të vet në incidentin e armatosur.
Deri më tani, vëmendja është fokusuar tek dëmet; por më tepër se kaq, halli i disa familjeve është pikërisht fakti se u kanë marrë ndonjë anëtar në polici. Për këtë kontigjent, ende nuk është folur: sa janë dhe se për çfarë akuzohen. Kjo, derisa mes të akuzuarve si një prej kokave të kryengritësve, rezulton të jetë dhe një berber lagjeje, që veç gërshërëve dhe briskut të rojes, e paska patur për pasion dhe përdorimin e kallashnikovit!