Nga Shkëlzen Rrecaj
Sapo të futesh në Prekaz vëren se ky fshat ka një histori të lashtë të atdhetarizmit. Në hyrje të Prekazit është kulla apo oda, siç njihen me shumë në Drenicë, e Ilaz Kodrës, e pak metra më tej është ajo e familjes së Adem Jasharit. Nja 700 metra prej saj janë kulla e Tahir Mehës dhe ajo e Ahmet Delisë.
Por, fama e këtij fshati nuk fillon e mbaron me Jasharajt. Historia na tregon se këtu edhe më herët ka patur atdhetarë të cilët kanë luftuar për lirinë e shqiptarëve, si: Ahmet Delia, Emin Lati (gjyshi i Tahir Mehës), baba i Tahirit, Nebih Meha dhe Tahir Meha. Pastaj vijnë familja e Shaban Jasharit me dy djemtë Hamzën dhe Ademin, Ilaz Kodra e shumë e shumë trima të cilët dhanë jetën në luftën e fundit.
Ndër kullat e cila ka shërbyer edhe si kuvend dhe shkollë, e ku janë edukuar breza të tërë është ajo e Tahir Mehës.
Kulla e Tahir Mehës ka historikun e vet, sa të dhimbshëm, aq edhe krenar. Kjo kullë së bashku me të tjerat në fshatin Prekaz bënë historinë tonë duke nxjerrë nga gjiri i tyre luftëtarët më të denjë. Themelet e kësaj kulle i ka vënë stërgjyshi i largët i Tahir Mehës, pra babai i Mehës së parë. Në katin e dytë është dhoma e ndejës, e cila ka oxhakun dhe pjesën ku përgatitej kafja e çaji.
Po ashtu në këtë kat është edhe tualeti, çfarë tregon se odat shqiptare ka qenë të ndërtuara me të gjitha mjetet e nevojshme, për shkak se burrat në atë kohë më shumë ka ndenjur në oda sesa që kanë qëndruar me familjet e tyre. Brendësia e kullës së Tahirit është e shtruar me qilim me ngjyra tradicionale shqiptare, ndërsa në mure janë vendosura fotografi të Tahirit, Adem Jasharit. Kjo kullë është djegur dhe ndërtuar disa herë gjatë viteve, ndërsa sot ajo është shndërruar në muze dhe pret vizitorë nga vende të ndryshme të trojeve shqiptare.
Rëndësia e kullave shqiptare
Kullat apo odat tek shqiptarët në përgjithësi (në mungesë të institucioneve të mirëfillta që ishin nën diktat të pushtuesit), kanë luajtur rol jetik në ngritjen e vetëdijes sonë qytetare, kombëtare, por edhe edukative. Për më shumë ato e kanë mbajtur gjallë frymën tonë liridashëse dhe vlerat tona të mirëfillta kombëtare. Ato shekuj me radhë kanë ruajtur dhe kanë bërë frymëzimin për të qenë të lirë e sovran në tokat shqiptare.
Janë tri faza të përjetësimit të kullave tona: kullat fortifikatë, që kemi shembuj të shumtë në historinë tonë; kullat legjendë, që janë përjetësuar nga sakrificat heroike për liri dhe kullat muze, ku ruhet meritueshëm historia e bujshme ndër shekuj.
Kush është Tahir Meha?
Tahir Meha ka lindur më 10 tetor 1943 në Prekaz, komuna e Skenderajt. Ishte aktivist politik dhe kundërshtar i madh i regjimit jugosllav.
Tahiri vjen nga një familje e aktivistëve që kishin ndikim edhe jashtë rrethit ku banonin. Familja e tyre ishte e njohur për aktivitete politike kundër regjimit, dukuri jo e rrallë në Prekaz të Drenicës. Familja e tyre ishte e njohur për kullën e Mehajve. I pasionuar pas historisë dhe leximit të librave të vjetër e të rinj, i cili mburrej me Oso Kukën, Ahmet Delinë, Hasan Prishtinën, Azem Bejten, Shaban Polluzhën etj., i cili ua kishte lakmi vdekjen. Tahiri ishte këmbëngulës në qëndrimet e veta, i papajtueshëm me rrethin që bashkëjetonte fatalist me robëruesit. Meqë nuk priste trashëgimtar mashkull me Shefkijen gruan e parë, ai martohet me Hakën, me shpresë se do ta trashëgojë me ushtarë të shqiptarisë, siç u thoshte shokëve, që ishte zakon te shqiptaret me pas djem më shumë. Tahir Meha konfrontimin e parë me policinë jugosllave e pati me 1965, ndërsa të dytin më 1971 që së bashku me babën Nebihun luftuan në vendi e quajtur “Vojtesh”. Nga fundi i vitit 1979, Tahir Mehën e kapën udbashët shqipfolës, të cilët e torturuan mizorisht. Nga kjo kohë, Tahiri ishte ariu i plagosur i Prekazit hijerëndë, i çelikosur egër kundër pushtuesit dhe sahanlëpirësve shqiptare. Tahiri kishte thënë: “ma nuk njoh pushtet të Jugosllavisë. E kam nda mendjen se ma mirë m’asht nji ditë sokol se sa njiqind vjet sorrë e zezë”. Pushteti i atëhershëm Tahirin e futi në indeksin e personave “të rrezikshëm për sigurinë dhe vëllazërim-bashkimin jugosllav”.
Ai largohet për një kohë nga Prekazi dhe pas shpërthimit të demonstratave studentore 11 e 26 mars dhe ngritjes gjithë popullore shqiptare 1,2,3 prillit, Tahir Meha kthehet përfundimisht në Kullën e stërgjyshërve të tij, i cili u kishte thënë miqve dhe shokëve që shkonin ta shihnin: “Kanga e studentëve m’nxori nga bira e minit dhe tashti e ka renin kanga ime….!” Milicia i dërgonte “miq” herë me porosi “miqësore” e herë ultimatume, që të dorëzohej. Tahiri fliste shkurt “jam në shtëpinë time dhe këtu mund të më gjeni….!” Spiunët e informuan milicinë se Tahir Meha u kishte thënë farefisit, pak ditë para ndodhjes së historisë: “Krejt pasunija jeme asht n’grykë të pushkës e n’kofshi t’gjallë kini me mbledhë shusha e tru të milicëve rreth kësaj kulle…!” dhe “…për luftën time ka me shkrue edhe “Zhen Min Zhibao” i Kinës…!”
Ndërsa sipas një rrëfimi të gruas së tij, Shefkijës, e cila tregon se më të filluar beteja në mes të Tahir Mehës dhe forcave serbe, sa herë që gjuanin Tahiri e Nebih Meha fishek, secili plumb nga një po e vret.
“Tahiri doli në dritare dhe menjëherë ka filluar me gjuajt, pushka e parë që ka krisë ishte e Tahirit, menjëherë i ka qëlluar dy policë që ishin para dritares dhe i ka lënë të shtrirë për tokë. Menjëherë pas Tahirit ka filluar me gjuajt baba i Tahirit, Nebihi, i cili ka qëlluar dhe e ka vrarë para hamarit një polic, një te dera e shtëpisë, dhe dy të tjerë i ka vra në qysh të dhomës së vet, këtë e kam parë me sytë e mi”.
Me pas ajo tregon tmerrin e luftës e cila thotë se plumbat binin si shi mbi kullën e Tahirit. Ajo tregon se Tahiri luftonte duke kënduar, ndërsa unë mbushja armët me fishek sa mundja. Shefkija rrëfen se fishekët e Tahirit kishin filluar të harxhohen.
“Tahiri hipi mbi pod të kullës derisa unë u zbrita poshtë me i marrë edhe 24 fishek që i kishim poshtë në kullë. Kur i mora fishekët nuk arrita me ja dhënë Tahirit, gazi lotsjellës nuk me linte t’i hapja sytë, kulla ishte mbushur me gaz. Tahiri ende vazhdonte të luftonte dhe këndonte në kupë të qiellit:
Çka ka kulla që po dridhet
Tahir Meha gjallë nuk lidhet
Çka ka kulla që po ushton
Babë e djalë po luftojnë
Pragun e vet të gjallë nuk e lëshojnë
Kështu vazhdoi lufta në mes Tahir e Nebih Mehës, të cilët iu kishin kundërvënë me forcë sistemit pushtues jugosllav dhe më 13 maj 1981 si rezultat i kësaj kundërvënie, vritet nga forcat policore jugosllave. Një karakteristikë që vlen të theksohet është se lufta në mes të Tahir Mehës dhe forcave jugosllave ka zgjatur 19 orë. Sipas të dhënave që zotërojmë, oborri i kullës së Tahirit ka qenë përplot shusha, kufoma milicësh e armët e tyre. Në raportin e një mjeku serb i cili ishte pjesëmarrës në operacionin kundër Tahirit, thuhet që kanë qenë të vrarë 22 dhe të plagosur 14 milicë. /tesheshi.com/