Çdo vit me 12 gusht, fshati Luboten në afërsi të Shkupit zgjohet me kujtimet e rënda që i ndodhën në vitin 2001.
Edhe sot, 18 vite pas, dhimbja e masakrës së kryer nga autoritetet shtetërore të (atëherë) Maqedonisë ndjehet rreth e qark fshatit.
Nën pretendimet se këtu ndodheshin pjesëtarë të UÇK-së, forcat e sigurisë Maqedonase në bashkëpunim me qarqet e larta qeveritare, nisën ofensivën ku mbetën të vrarë dhjetë shqiptarë, në mesin e tyre edhe një fëmijë.
Emrat e viktimave, Erxhan Aliu (6 vjeç), Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili, edhe sot kujtohen në Luboten dhe jo vetëm.
Fshati përjetoi momentet më të dhimbshme të historisë së tij, ku u dogjën 14 shtëpi dhe u arrestuan e keqtrajtuan mbi 100 banorë.
Rasti i Lubotenit nuk mbeti pa u gjykuar, por dënimi ishte mëse minimal.
Ky ishte një ndër rastet e vetme që u procesuan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë, ish-ministri i Brendshëm Lube Boshkovski, u lirua nga akuza.
Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai sot ndodhet në liri pas mbajtjes vetëm 8 vite në burg.
Si Tarçullovski, ashtu edhe Boshkovksi, nga ana e shtetit konsiderohen dhe nderohen si heronj kombëtarë. Sot, kur Maqedonia Veriore ka bërë lëvizje drejt njohjes së të drejtave të shqiptarëve, kërkimfalja është gati e panevojshme. Ajo që duhet është çmitizimi i këtyre figurave që sjellin vetëm përçarje dhe vrer. /tesheshi.com/