Rreth orës 0.4 të mëngjesit, kanë hyrë në Kosovë trupat e nëntë shtetasve kosovarë që u vranë në luftimet e 9 majit në Kumanovë. Rreth 100 persona kanë qëndruar deri në atë orë për të përcjellë ardhjen e kufomave.
Kolonë e gjatë automjetesh me familjarë dhe makina funeralesh kanë hyrë në kufirin në Hanin e Elezit, ndërsa kortezhi është përcjellë nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.
Trupat janë dërguar në këtë institut për një ekzaminim të ri.
Meqë nuk ju besojnë institucioneve maqedonase, familjarët e të vrarëve kanë kërkuar nga autoritetet kosovare edhe një herë të hetojnë rrethanat në të cilat u vranë të afërmit e tyre.
“Familjarët e të vrarëve janë këtu dhe pothuajse të gjithë po kërkojnë të bëhet riautopsia në Prishtinë. Ligjet tona lejojnë që dëshira e familjarëve të respektohet dhe ne do të bëjmë riautopsinë”, tha Arsim Gërxhaliu, Drejtori i mjekësisë ligjore në Prishtinë.
Familjarët e kosovarëve të vrarë në Kumanovë, kanë pritur rreth 12 orë para morgut të Shkupit për të marrë trupat e pajetë të të afërmve të tyre.
Nga të dhënave të fundit, rezulton se në Kumanovë kanë humbur jetën 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe jo 14 siç kishte njoftuar fillimisht policia maqedonase.
Vetëm njëri prej të vrarëve në lagjen e Trimave është shtetas i Maqedonisë, të tjerët janë kosovarë.
Sakaq, Këshilli për Mbrojtjen e te Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), kërkon nga institucionet e Kosovës t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme në mënyrë që të bëhet një ekspertizë e re, e cila do ta përcaktonte mënyrën dhe kohën e vrasjes së tyre nga policia dhe ushtria maqedonase në Kumanovë. /tesheshi.com/