Nga Ylli Pata
Arta Marku, megjithëse u zgjodh si Kryeprokurore e përkohshme, e ka nisur menjëherë punën si drejtuese me fuqi të plotë e organit të akuzës.
Kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit të PDIU-së, Aqid Rakipi dhe atij të LSI-së, Gledion Rehovica, është praktikisht “inagurimi” i operacionit “Peshkaqenët” që u shpall nga Donald Lu pak kohë më parë.
Siç bëhet e ditur nga shkresa e Prokurorisë, Aqif Rakipi ka fshehur një arrestim në Itali për posedim të mallrave të vjedhur dhe në atë kohë mbante emrin Skënder Ejylbegaj. Ndërkaq, Gledion Rehovica është arrestuar nga policia në Itali në vitin 1999, ku mbante emrin Kusta Mina.
Shkresa e firmosur nga Kryeprourorja Arta Marku pritet të kalojë menjëherë në KQZ dhe sipas të gjitha gjasave do të ekzekutohet menjëherë. Por kjo është vetëm maja e ajzbergut e një operacioni të madh që pritet të nisë menjëherë, në ditët e para të janarit 2018.
Tashmë ka përfunduar skanimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe në janar pritet fillimi i “Stinës së Gjuetisë” së “peshqve të mëdhenj” apo “peshkaqenëve” siç i ka cilësuar ambasadori Donald Lu.
Një ekip i specializuar i Task Forcës së Prourorisë, i ndihmuar edhe nga ekspertët e FBI-së që ndodhen në terren, kanë skanuar pasuritë e politikanëve: banesat, makinat, kontot bankare, por edhe lëvizjet e mundshme.
Siç mësohet, dy “peshkaqenë” të mëdhenj do të jenë objekt i nisjes së ndjekjes penale në fillim të 2018-ës. Burime në organet ligjzbatuese bëjnë të ditur se edhe një eksponent i rëndësishëm i mazhorancës është në syrin e ciklonit. Eshtë fjala për një zyrtar i niveleve të larta, i cili ka shtuar ndjeshëm pasurinë pas vitit 2013 dhe është gjetur një mospërputhje me të ardhurat që ai merr nga rrogat apo kompanitë që zotëron. Bëhet fjalë për një pasuri të patundshme në një vend shumë të shtrenjtë të kryeqytetit, ku zyrtari ka blerë një kat dhe e ka mobiluar me pajisje luksoze.
Gjithashtu makinat e tij të reja kapin shifra të larta dhe zakonisht zotërohen nga sipërmarrës që xhirojnë miliona. Por ai nuk është i vetëm. Kjo pasi është bërë fotografimi një nga një i të gjithë apartamenteve të politikanëve në Tiranë dhe bregdet, duke i analizuar me detaje vlerën e tregut, shërbimet që kanë kryer dhe koston e mbajtjes së tyre.
Ndërkaq, thuajse ka përfunduar shoshitja e pasurive të zyrtarëve, si dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe gjithçka ndodhet në serverin sekret në ILDKPI.
Diferencat e pasurisë janë shënuar tashmë dhe janë dërguar së bashku me informacionet e Departamentit të Informacionit të Klasifikuar dhe atë të Pastrimit të Parave në Departamentin e Task Forcës, i cili do të hetojë edhe direkt duke pyetur aktorët se si e kanë siguruar atë. Furtuna nis që në ditët e para të janarit. /tesheshi.com/