Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm ditën e sotme në çeljen e panairit të punës në kryeqytet, ku është shprehur se në dispozicion janë 8 mijë vende pune që nga sektori i telekomunikacionit, industria përpunuese, sektori i ndërtimit, sektori bankar, sektori i industrisë ushqimore.
“Kjo është një provë shumë e fortë se Shqipëria ka punë por kërkohen punonjës të kualifikuar. Ndaj duhet të vazhdojnë përpjekjen së bashku ndaj atyre, që të vetmen rrugë për t’u punësuar shohin rrugën e punësimit në sektorin shtetëror”, u shpreh Rama.
Sipas tij 55% e të regjistruarve janë pa profesion dhe janë me arsim 9- vjeçar, duke shtuar se pjesa më e madhe e kërkesave është për teknikë të mesëm dhe zanatçinj. Në këtë linjë tha se në të gjithë vendin ka 31 mijë kërkesa për punonjës profesionistë.
Në vijim Rama u shpreh se arsimi profesional është zgjidhja e duhur, duke shtuar se përveç shkollave profesionale që do vazhdohen do të investohet në trajnimet 6- mujore, me synimin që profesioni apo zanati, të mësohen në vendin e punë. /tesheshi.com/